(Shkatërrimi pas tërmetit në Thumanë) - Foto ilustruese

Nisen drejt Shqipërisë një grup i madh inxhinierësh për vlerësimin e dëmtimit të ndërtesave

Nga Kosova për në Shqipëri janë nisur një grup i madh inxhinierësh ndërtimi për të bërë vlerësimin e ndërtesave.

Për këtë ka njoftuar Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë përmes një publikimi në Facebook.

Shoqata ka shkruar se për këtë kanë bashkëpunuar me Asociacionit te Arkitektëve te Kosovës, Ndërmarrjen Publike Banesore dhe Komunën e Prishtinës.

Po ashtu, shoqata ka njoftuar se momentalisht kërkesa ka qenë vetëm për inxhinierë ndërtimi, ndërsa një grup i madh vullnetarësh, arkitektësh e profesionistë të fushës janë në gatishmëri.

“Me kënaqësi ju njoftojmë se janë nisur drejt Durrësit e Tiranës një grup shume i madh profesionistësh, inxhinierë ndërtimi nga Kosova, për të ndihmuar ne përcaktimin e dëmeve strukturore te godinave ne këto qytete. Thirrjes për ndihmë me bashkë iniciativë dhe ndërveprimin midis ShASh dhe Asociacionit te Arkitekteve te Kosovës, ju bashkuan fuqishëm profesionistë të tjerë të organizuar nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe Komuna e Prishtinës. Ne gjithë këtë organizim ndërveproi edhe ministria e Arsimit e Shqipërisë me kërkesë për ekzaminim te 42 shkollave fillore e te mesme ne territorin rreth Durrësit, Krujës, Lezhës etj. Vullnetarë të tjerë, arkitekte e profesionistë të fushës janë në pritje për t’u angazhuar në një fazë të dytë sapo të ketë nevojë, pasi thirrja ishte specifikisht për inxhinierë ndërtimi. Ne emër te Shash ju falënderojmë përzemërsisht për ndihmën, gatishmërisë dhe shembullin pozitiv që po tregoni në këto ditë të trishtueshme”, thuhet në njoftimin e shoqatës.