Fillon regjistrimi i votuesve nga diaspora

Nga data 30 gusht deri më 10 shtator, të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, kanë mundësi që të mbushin formularët e tyre për të figuruar në regjistrin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 6 tetor.

E kjo pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka hapur aplikimin, ku thonë se gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e parakohshme.

“Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”, thotë KQZ.

Në këtë afat të përcaktuar nga KQZ-ja, aplikimi për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës mund të bëhet përmes këtyre mundësive: fahut postar të KQZ-së; fax-it të KQZ-së dhe përmes ndonjërës nga e-mail adresat e Shërbimit Votues të KQZ-së.

Të gjitha informacionet e detajuara dhe se si të aplikohet për regjistrim janë të publikuara në këtë vegzë: http://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka inkurajuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj edhe të votojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës llogaritet të jenë deri në 800 mijë, por, në regjistrimin e diasporës, proces i nisur nga autoritetet e Kosovës vite më parë deri më tani janë regjistruar vetëm rreth 400 mijë qytetarë.

Ndërkohë që sipas organizatës joqeveritare ‘Germin’ që merret me organizmin e diasporës janë rreth 350 mijë votues nga diaspora me të drejtë vote.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 përgjatë periudhës së aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës si votues suksesshëm të regjistruar ishin mbi 15 mijë qytetarë.

Vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti, vlera e remitencave (para të dërguara nga diaspora), sipas Bankës Qendrore të Kosovës, ka arritur në 332 milionë euro.

Kurse vitin e kaluar, vlera e remitencave ka tejkaluar shumën prej 800 milionë euro, duke shënuar vlerën më të lartë në dekadën e fundit.