Nis zëvendësimi, policët e rendit vendosen në stacionet policore në veri

Zyrtarë policor të rendit janë vendosur në stacionet policore në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan si zëvendësim pas largimit të zyrtarëve policor nga komuniteti serb.

Informacionet që posedon KALLXO.com tregojnë se zyrtarët policor u janë përgjigjur detyrave policore për të vazhduar punën në stacionet policore në veri të Kosovës.

Deri më tani siç mëson KALLXO.com ekipe të policisë së rendit janë dërguar me automjetet e tyre në stacionet policore Zubin Potok, Leposaviq dhe në Zveçan.

Ekipi i KALLXO.com i cili po qëndron në veri të vendit ka marrë informacione se në stacionet dhe nënstacionet policore kanë mbetur vetëm policët shqiptarë, ndërsa ata që kanë dhënë dorëheqje pritet të zëvendësohen me ekipe të tjera.

Zyrtarë policorë që kanë ofruar dorëheqjet e tyre dje në Policinë rajonit të Mitrovicës së Veriut, mëngjesin e sotëm kanë arritur në këtë objekt për të dorëzuar armët dhe pajisjet tjera policore.

Pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, për shkak të refuzimit dhe rezistencës për të lëshuar fletëqortime për pronarët e veturave me targa ilegale serbe, zyrtarët serbë nëpër institucionet e Kosovës kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

Derisa të dielen, më 6 nëntor, serbët kanë protestuar në mënyrë paqësore në sheshin “Car Llazari” në Mitrovicën e Veriut, me flamuj të Serbisë, me sllogane të ndryshme nën tingujt e këngëve nacionaliste serbe.

KALLXO.com ka siguruar fotografi nga momenti kur policët e rendit vendosen në Zveçan.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com