Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nis vlerësimi i votave të mërgatës

Qendra e Numërimit të Rezultateve ka filluar procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka thënë se ky proces ka për qëllim të verifikoj nëse pako janë dërguar në mënyrë të rregullt.

“Ky proces ka për qëllim të verifikojë nëse pakot në fjalë janë dërguar nga votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo nëse pakot e dërguara plotësojnë kriteret ligjore. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, i cili do të na marrë kohë disa ditë, do të dijmë se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit”, tha Elezi.

Tutje, ai ka shtuar se në QNR është duke u bërë futja e të dhënave nga formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve.

“Nga 2 mijë e 382 vendvotime, deri më tani janë procesuar të dhënat e formularëve të subjekteve politike për rreth 1 056 vendvotime (44.33%) si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për rreth 841 vendvotime (35.11%)”, bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së.

Elezi shtoi gjithashtu se nga 2 mijë e 382 vendvotime, një numër i vogël i tyre, rreth 80 sosh, nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për arsye të ndryshme të cilat do të shikohen më në detaje për problemet nga KQZ.