Nis viti i ri shkollor, çka thonë prindërit për subvencionimin e librave? - VIDEO

Të hënën më 02.09.2024 ka filluar viti i ri shkollor 2024/2025, vit i dytë me radhë që Ministria e Arsimit aplikon metodën e subvencionimit të blerjes së librave përmes prindërve për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë.

Ekipi i KALLXO.com ka vizituar dy shkolla fillore të mesme të ulëta në Prishtinë për të kuptuar nga prindërit se a janë furnizuar fëmijët e tyre me të gjitha librat.

Prindërit që pranuan të deklarohen në lidhje me furnizimin me libra të fëmijëve të tyre për vitin shkollor 2024/2025, nuk shprehën ndonjë telash që kanë hasur në përfitimin nga subvencionimi i blerjes së librave, por shumica e tyre ishin të një mendimi që metoda e mëparshme e furnizimit me libra në shkolla ka qenë më e lehtë për ta dhe nxënësit.

Ndërsa, kishte prindër që ankoheshin për shumën e ndarë nga Ministria e Arsimit, se nuk ishte e mjaftueshme për t’i blerë të gjitha librat, por që nuk pranuan të deklarohen para kamerës.

Zgjim Xhafolli, prind i tre fëmijëve që janë në klasë të gjashtë, dytë dhe parashkollor tha se ka aplikuar sapo është hapur aplikimi për subvencionimin e blerjes së librave në platformën e-Kosova.

“Kemi apliku po sa është hapë procesi për subvencionim. Në llogari kanë dalë menjëherë mjetet edhe kemi ble librat, pak ka pas vështirësi për shkak se disa libra nuk janë gjetë në librari, mirëpo përfundimisht janë ble krejt” – ka deklaruar Xhafolli.

Sipas Xhafollit, libri që për momentin i mungon fëmijës së tij në klasë të gjashtë është ai i Edukatës Qytetare.

Xhafolli mendon se furnizimi me libra i nxënësve përmes shkollës nga Ministria e Arsimit është më i mirë, në krahasim me furnizimin me libra përmes prindërve.

“Ma mirë ka qenë në të kaluarën, sepse nuk jemi marrë me pjesën e librave fare, mirëpo vetëm me fletore edhe lapsa çka kanë nevojë. Kështu është ma e mundimshme, është edhe aplikimi, edhe blerja, nuk ka, disa libra bëjnë, disa s’bëjnë, d.m.th duhet m’i gjet, mirëpo prap është përfundu” – ka thënë Xhafolli.

Për Florina Mekuli-Bajraktarin, prind i dy nxënësve që janë në klasë të katërt në shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë, këtë vit kanë qenë më të përgatitur për aplikimin e metodës së subvencionimit të blerjes së librave, për shkak të përvojës në vitin e kaluar.

“Këtë vit kanë qenë më të përgatitun dhe si duket edhe ne kemi qenë më të përgatitun, sepse na është përsërit e njëjta metodë sikur vitin e kalum. Në krahasim me vitin e kalum, d.m.th që të gjithë kemi pasë ankesa, mundem me thënë shumica” – tha Mekuli-Bajraktari.

Mekuli-Bajraktari tha se i kanë mjaftuar mjetet financiare që i ka ndarë Ministria e Arsimit për subvencionimin e blerjes së librave për nxënësit e klasës 4.

Prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit ka vendosur t’i subvencionojë me 80 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, njësojë si vitin e kaluar. 

Ndryshe nga viti i kaluar, Ministria e Arsimit ka vendosur t’i subvencionojë edhe prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, me nga 110 euro.

Mekuli-Bajraktari më shumë e ka vlerësuar metodën e mëparshme të sigurimit të librave, përmes Ministrisë së Arsimit në shkolla dhe shkollat te nxënësit dhe nuk mendon se vitin e ardhshëm duhet të aplikohet metoda e subvencionimit të blerjes së librave nga prindërit.

Safete Bala, prind i nxënësit të klasës së tretë në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë ka thënë se nuk ka pasur diçka telashe sa i përket furnizimit me libra dhe se mjetet e subvencionimit të blerjes së librave kanë qenë të mjaftueshme në rastin e saj.

“Po, menjherë më kanë dalë (mjetet e subvecionimit të blerjes së libave). Besoj që për një javë ditë, qysh kam apliku, pas një jave kanë dalë (në llogari)” – ka treguar Bala.

Edhe Bala e vlerëson më shumë metodën e mëparshme të Ministrisë së Arsimit, furnizmi i nxënësve me libra në shkolla.

“Me folë realitetin nashta në shkollë u kanë pak njëfarë lehtësimi edhe te nxënësit edhe te prindërit, se sa i përket te prindërit po flas, në qoftë se gjysma e prindërve janë nëpër puna, a kanë gjetë kohë me dalë me fëmijë, a kanë gjetë kohë me i kompletu të gjithë fëmijët. U kanë një verison shumë më i lehtë” – ka thënë Bala.

Ndërsa, Luljeta Jashari-Hertica, prind i nxënësit në klasë të parë mendon se metoda e subvencionimit të blerjes së librave nga prindërit është një metodë efikase.

“Ministria e Arsimit i ka deponu d.m.th mjetet (e subvencionimit të blerjes së librave) me kohë, dikun katër ose pesë ditë para se me vendos d.m.th m’i marrë librat, nuk kemi pas asnjë problem. Kjo metodë mendoj se është shumë e mirë, metodë efikase” – është shprehur Jashari-Hertica.

Jashari-Hertica tha se janë furnizuar me të gjitha librat për fëmijën e tyre dhe sipas saj, shuma e ndarë nga Ministria e Arsimit për subvencionimin e blerjes së librave për klasën e parë, prej 80 eurosh, i ka tepruar.

“Ka qenë ma tepër se sa që unë e kam shpenzu. Librat kanë kushtuar dikun rreth 70 euro, ndërsa 80 euro ka qenë subvencioni nga Ministria” – ka thënë ajo.

Në konferencën për media të datës 13.08.2024 ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci deklaroi se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024.

Aplikimi i prindërve të nxënësve të klasave 1 – 9 për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore në platformën e-Kosova ka filluar nga data 14.08.2024 dhe po vazhdon.

Më 31.08.2024, ministrja Nagavci njoftoi se 203 mijë e 407 prindër apo kujdestarë ligjorë kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve apo materialeve shkollore për vitin e ri shkollor. 

Në anën tjetër, prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 vitin e kaluar shkollor 2023/2024 u subvencionuan me 30 euro vetëm për blerjen e mjeteve mësimore.

Kurse, prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2023/2024 u subvencionuan me 80 euro për blerje të librave dhe mjeteve mësimore.