Nis vaksinimi masiv i qytetarëve në Shqipëri

Në sheshin “Skënderbej” në Tiranë sot janë hapur tendat për vaksinim masiv të qytetarëve me vaksinën anti COVID-19.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se deri në muajin maj në Shqipëri do të vaksinohen gjysmë milioni qytetarë me vaksinën anti-COVID 2019.

“Besoj që brenda majit ne do të kemi gjysmë milioni qytetarë të vaksinuar dhe kam bindjen e plotë që do të ecim shumë shpejt pasi kemi siguruar sasi të tjera të konsiderueshme dhe do të vazhdojmë punën për të siguruar të gjitha sasitë e nevojshme dhe besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar si rezultat i këtyre goditjeve që i bëhet zinxhirit të infektimeve”, tha Rama para gazetarëve.

Tutje Rama u shpreh i bindur që deri në pranverën e vitit të ardhshëm do të vaksinohen të gjithë qytetarët.

“Ne mbetemi të bindur që deri në pranverën e ardhshme do të jetë e vaksinuar e gjithë popullata, por për sa më takon mendoj që do të bëjmë edhe më parë”, shtoi ai.

Kryeministri Rama ka publikuar në profilin e tij në Facebook pamje nga fushata e vaksinimit që po zhvillohet në sheshin “Skënderbej”.