Vaksinimi i zyrtarëve policor, Foto: Policia e Kosovës/ Facebook

Nis vaksinimi i zyrtarëve të Policisë me vendbanim në Prishtinë

Në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë sot ka filluar vaksinimi kundër COVID-19 i zyrtarëve të Policisë së Kosovës me vendbanim në Prishtinë.

Sipas një njoftimi të Policisë, ky proces do të vazhdojë deri në përfundim të vaksinimit të të gjithë personelit policor, përderisa deri më tani vaksinimi  i personelit  të PK-së me rrezikshmëri më të lartë ndaj COVID 19 (me sëmundje kronike) ka përfunduar.

Policia në njoftimin në Facebook ka theksuar se ky aktivitet po menaxhohet nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore pranë Departamentit të Burimeve Njerëzore të PK-së, e cila në bashkëpunim me departamentet e tjera policore ka përgatitur planin  e vaksinimit, i cili shpërndahet në baza ditore, me qëllim të njoftimit të zyrtarëve për kohën dhe vendin e vaksinimit.

Policia e Kosovës tutje thotë se mbetet e përkushtuar për kujdesin e shëndetit të stafit të saj dhe njëkohësisht falënderon personelin mjekësor për trajtimin dhe kujdesin e treguar ndaj zyrtarëve policorë.

Vaksinimi masiv kundër COVID-19 ka filluar sot në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se qëllimi i tij është vaksinimi i 60% qytetarëve në nivel vendi.

“Tani më kemi kaluar shifrën 100 mijë të vaksinuarve dhe objektivi ynë mbetet 60% të qytetarëve. Me punën dhe përkushtimin e të gjithëve do të arrihet kjo kategori”, tha ministri.

Vaksinimi i zyrtarëve policor, Foto: Policia e Kosovës/ Facebook