Nis vaksinimi i stafit mjekësor në Drenas dhe Skenderaj

Në mesin e komunave që kanë filluar vaksinimin kundër COVID-19 për stafin shëndetësor janë edhe Drenasi e Skenderaj.

Komuna e Drenasit në njoftim të saj ka bërë të ditur se me këtë rast, kryetari Lladrovci, ka shprehur respektin ndaj personelit shëndetësor për punën dhe angazhimin e tyre në menaxhimin e situatës me pandeminë, duke i quajtur edhe heronj.

“Me rastin e vizitës në Qendrën e vaksinimit anti-covid në Drenas, shpreha respektin e thellë ndaj personelit shëndetësor, ndaj zbatuesve të ligjit të vijës së parë ati-covid, dhe qytetarëve që po i zbatojnë masat kundër virusit vdekjeprurës”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Sipas njoftimit të publikuar në rrjetin social “Facebook”, kryetari Lladrovci ka inkurajuar punëtorët shëndetësorë dhe qytetarët që të vaksinohen, pasi vaksinimi është hapi i parë në zvogëlimin e numrit të rasteve dhe mbrojtja nga virusi.

Vaksinimi i personelit shëndetësor ka nisur edhe në Skenderaj.

Në njoftimin e Komunës thuhet se drejtori i Qendrës  Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, Osman Veliu, bëri të ditur se brenda kësaj jave pritet të përfundojë vaksinimi i stafit shëndetësor, ndërsa nga fundi i javës së ardhshme pritet të fillojë vaksinimi i personave që kanë probleme kardiake si dhe personave mbi 80-vjeç.

“Shfrytëzoj rasti që t`i bëjë apel Qeverisë së Kosovës, që t’i dalë në ndihmë komunës sonë, në sigurimin e me shumë dozave të vaksinave anti- Covid, në mënyrë që t’iu përgjigjemi kërkesave të qytetarëve”, tha kryetari Bekim Jashari.

Në fund Jashari apeloi qytetarët që të jenë të përgjegjshëm dhe të respektojnë masat dhe rekomandimet e parapara nga Ministria e Shëndetësisë.

“Të dashur qytetarë, rastet pozitive po shtohen çdo ditë e më shumë andaj kërkoj nga ju që të respektoni rekomandimet dhe masat që janë të parapara nga Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19”, tha Jashari.