Foto: Top Channel

Nis vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve kosovarë në Shqipëri

Në Kukës të Shqipërisë ka nisur marrja e vaksinës kundër COVID-19 nga mjekët dhe infermierët nga Kosova.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla nga Kukësi tha se sot më në fund nisi vaksinimi i punëtorëve shëndetësor.

“Më lejoni që nga thellësia e zemrës dhe shpirtit të shpreh falënderimin për kryeministrin Rama dhe gjithë popullit shqiptar që sot filluam edhe ne, më në fund vaksinimin e punëtorëve shëndetësor të Republikës së Kosovës, si i vetmi vend i cili ka qenë pa vaksinë”, tha ai.

“Le të jetë një mësim që ne mundemi së bashku dhe vëllai vëllanë nuk e lë. Z. Rama ju sot me gjestin tuaj dhe gjithë ekipin keni dhënë një mesazh të qartë se si bëhet një shtet”, tha ai.

Ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama tha se janë të gatshëm të kontribuojnë për Kosovën.

“Unë ju kam thënë qysh në fillim, hajdeni në Kukës. Në fund të fundit është një vend i përbashkët sepse përtej faktit që jemi dy shtete dhe kemi një kufi, është krejt e thjeshtë dhe krejt e natyrshme që Kukësi të funksionojë si një bazë e përbashkët. U vonua pak pala tjetër”, tha ai.

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) kishte njoftuar se sot do të vaksinohen rreth 250 mjekët e parë, ndërsa në ditët në vijim do të vazhdohet edhe me 250 të tjerë.

Sot në Kukës vaksinohen 250 mjekë të Kosovës