Nis takimi Vuçiq – Grenell në Beograd

I dërguari i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në orën 9:00 ka nisur takimin me  presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, raporton B92.

Grenell paraprakisht ka qëndruar në Kosovë, ku ka takuar presidentin e Kosovës Hashim Thaci dhe drejtues të partive politike, si Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafën nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Grenell nga Prishtina ka deklaruar se Kosova duhet të heqë tarifën ndaj Serbisë dhe se Beogradi duhet të ndërpresë fushatën kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Mediat në Serbi thonë se Amerika dëshiron një zgjidhje të shpejtë të çështjes së Kosovës, por edhe përfundimin e marrëveshjes dy palësh në një konferencë të re ndërkombëtare që do të ishte një lloj “Dejtoni i ri”.

Sipas Telegrafit Serb, nuk ka një afat dhe datë të saktë për të arritur një marrëveshje të re, siç është ajo që i dha fund konflikteve në BiH dhe u përmbyll në Dejton, por ekziston një përcaktim nga Grenell se puna që i është besuar nga SHBA Presidenti Donald Trump sa më shpejt të përfundojë.

Gazeta pretendon se “marrëveshja e SHBA-së do të përfshijë heqjen e taksës, vazhdimin e negociatave me një ritëm të përshpejtuar, kalimin kufitar, aneksimin e veriut të Kosovës me pjesën tjetër të Serbisë, investimet amerikane në rajon, ‘veçanërisht për veriun e Kosovës, të cilat do t’i përkisnin në Serbi’, ardhja e kompanive amerikane, investimi në infrastrukturën e udhëtimit, forcimi i tregtisë midis Beogradit dhe Prishtinës dhe përshpejtimi i integrimit në BE”.