Albin Kurti, Bujar Osmani FOTO: Arta Sopi, KALLXO.com

Nis takimi Kurti-Osmani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nisur takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryesuesin e organizatës ndërkombëtare OSBE, Bujar Osmani.

Osmani është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë.

Kurti gjatë takimit është shprehur i lumtur për marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Jemi të lumtur të konstatojmë që marrëdhëniet tonë të shkëlqyeshme po pasohen më bashkëpunim që po rritet. Dua të ju falënderoj për kontributin që OSBE e ka dhënë për demokratizimin në Kosovë për qytetarët”- tha shefi i ekzekutivit kosovar.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka falënderuar Kosovën për bashkëpunim duke inkurajuar që ai të vazhdoj edhe në të ardhmen.

“Ju falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur ne 20 vite ndërmjet institucioneve të BE-së dhe Kosovës. Jam këtu edhe për të ju inkurajuar që të vazhdoni bashkëpunimin, Maqedonia e Veriut e ka marrë kryesimin jo në një situatë të mirë, pas agresionit të Rusisë, por kjo nuk ka ndikuar në punën dhe bashkëpunimin e organizatës”- shtoi Osmani.

Takimi i Kurtit dhe Osmanit ka vazhduar me dyer të mbyllura.

Shefi i diplomacisë i Maqedonisë së Veriut sot është takuar edhe me homologen e tij, Donika Gërvallën.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Osmani: Ne mbështesim dialogun