Foto: Albin Kurti/ Facebook

Nis takimi 'kokë më kokë' Kurti – Merkel

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përmes një video që e publikoi në profilin e tij në Facebook njoftoi se ka nisur takimi i tij dhe zëvendëses së tij Donika Gërvalla me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila po qëndron për vizitë në Tiranë.

Kurti ka bërë të ditur se për çka do të diskutojnë me Merkelin.

“Filloi takimi me Kancelaren gjermane, Angela Merkel. Bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla do të diskutojmë për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona dhe bashkëpunimin rajonal brenda agjendës së Bashkimit Evropian”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

Në fund të mandatit të saj si kancelare, Mekel po qëndron në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit, nismë e nisur vite më parë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo sot ka deklaruar se ky proces është i pazëvendësueshme dhe se BE-ja duhet të mbajë premtimet e saj për vendet që kanë plotësuar kriteret për hapat drejt anëtarësimit në bllokun evropian.