Nis takimi i parë i grupit punës për çështjen e targave

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se ka filluar takimi mes ekipeve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Sipas emisarit, në këtë takim do të flitet për targat e automjeteve, ashtu siç ishte planifikuar më 30 shtator.

“Sot në mëngjes në Bruksel mirëprita delegacionet e ekspertëve për takimin e parë të grupit të punës për targa, siç jemi pajtuar më 30 shtator. Grupi i kryesuar nga këshilltarët e mi do të takohet rregullisht. Unë besoj se ata do të paraqesin gjetje konkrete për gjashtë muaj”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social “Twitter”.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat me Serbinë.

Ky vendim pasoi me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Përderisa më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.