Nis Samiti në Slloveni

Samiti Bërdo-Brioni i liderëve të Ballkanit Perëndimor ka filluar sot në Slloveni.

Presidentët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse para takimit kanë bërë një fotografi të përbashkët.

Përveç nikoqirit të takimit, presidentit slloven, Borut Pahor, po marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Shqipërisë, Bajram Begaj, i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Presidenti slloven, Pahor ka postuar fotografinë e përbashkët teksa ka njoftuar se pjesëmarrja në ketë takim është konfirmuar nga të gjithë drejtuesit e nismës.

 

Temat të cilat do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces, përfshirë thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit tonë.