Nis rigjykimi për eksploatimin e rërës në Kamenicë

Refik Latifaj, ish-kryeinspektor në Komunën e Kamenicës, i akuzuar për keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar  ka dalë sërish para gjykatës.

Latifaj akuzohet se ka ndihmuar në forma të ndryshme mbi 6 kompani që merren me eksploatimin e rërës.

Kujtojmë se kjo lëndë për herë të tretë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit për shkak se (sipas Gjykatës së Apelit), nuk janë dhënë arsyetime për faktet vendimtare në të cilat është bazuar Gjykata e shkalles se parë.

Gjykata e Gjilanit në shqyrtimin e parë të akuzuarin e kishte dënuar me 180 ditë burgim, vendim i cili ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Pastaj i akuzuari kishte bërë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit (Gjykata Supreme), e kishte prishur vendimin e Apelit duke e kthyer çështjen në rigjykim. Tutje në rigjykim Gjykata e Gjilanit (e shkalles së parë), e kishte liruar nga akuza të akuzuarin, vendim të cilin e ka prishur Gjykata e Apelit duke e kthyer çështjen përsëri në rigjykim (procedura në të cilën ndodhet sot çështja).

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Refik Latifaj akuzohet se në periudhën kohore 2013-2014 në cilësinë e shefit të Inspektoratit Komunal të Kamenicës në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke ndihmuar në forma të ndryshme mbi 6 kompani që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorrit.

Aktakuza sqaron se këtë ndihmë Latifaj e ka bërë duke dhënë instruksione për eksploatim ilegal të rërës dhe zhavorrit dhe duke i udhëzuar kompanitë që të pajisen me dokumente fiktive doganore si mbulesë e veprimtarisë së tyre.

Tutje në seancë u dëgjuan katër dëshmitar të cilët thanë se mbeten në tërësi pranë deklaratave të dhëna në shqyrtimet e kaluara gjyqësore duke mos shtuar asgjë tjetër.

Seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar me 10 korrik, ku do të ftohet edhe eksperti financiar për sqarime plotësuese lidhur me ekspertizën e tijë nga shqyrtimet e kaluara gjyqësore.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje.

Ndërpritet gjykimi ndaj ish kryeinspektorit të komunës së Kamenicës