Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Audio-Vizuale; Fotografi:MKRS

Nis realizimi i audio-dramave për rrëfimet e grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës

Regjisori Kushtrim Koliqi nga organizata “Integra” në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Audio-Vizuale ka thënë se me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës kanë nisur realizimin e audio-dramave për rrëfimet e grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi tha se MKRS-ja ka marrë vendim dhe janë në proces të digjitalizimit të institucioneve në dokumentim të trashëgimisë kulturore.

“Në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të fillojmë një projekt të madh të kulturës e të trashëgimisë gojore, ku do të mblidhen dhe botohen rrëfimet e dëshmitarëve të luftës”, tha Dumoshi.

Kompozitori Valton Beqiri tha se në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat tjera kanë nisur procesin e digjitalizimit të materialit audio që gjendet nëpër arkivat e ndryshme.

Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Audio-Vizuale u shënua sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës me aktivitete për rëndësinë e ruajtjes së dokumenteve audio-vizuale si filmat, zërat, video inçizimet si dhe programet radio televizive.

Kjo ditë shënohet çdo 27 tetor, e cila është përzgjedhur nga UNESCO më 2005.