Ish-Burgu i Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Nis puna për shndërrimin e ish-Burgut të Prishtinës në muze

Nga sot edhe zyrtarisht nis projekti i shndërrimit të ndërtesës së ish-Burgut të Prishtinës në muze.

Për këtë qëllim ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar sot vendimin për formimin e grupit punues që do të hartojë konceptin për projektin.

Përmes një komunikate, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se si hap të parë ministrja Vlora Dumoshi nënshkroi vendimin për formimin e grupit punues që do të hartojë konceptin për projektin e ndërtesës së ish-Burgut të Prishtinës me destinim muze. Koncepti do t’i paraqitet Ministrisë.

Sipas komunikatës, pjesë e grupit punues janë: Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në rolin e kryesueses, Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë, Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së, Xhavit Loshaj, këshilltar i ministrit të Drejtësisë, Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës të të Burgosurve Politikë të Kosovës, Meriman Braha, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Fikrije Berisha, zyrtare e Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Haxhi Ademi nga Instituti i Historisë dhe Ajshe Kamberi nga MPB.

Ky vendim, sipas komunikatës, shënon hapin e parë konkret drejt shndërrimit të objektit të ish-Burgut të Prishtinës në muze dhe është një akt i ndërmarrë nga ministrja Dumoshi konform programit të Qeverisë Hoti.

Ndërtesa në të ardhmen do të menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze. Sipas ministres Dumoshi  vendimi për këtë ndërtesë është marrë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, duke përfshirë edhe aspektin shoqëror dhe historik.

“Shndërrimi i ndërtesës së ish Burgut të Prishtinës me destinim Muze shënon një hap të rëndësishëm për dokumentimin e së kaluarës tonë, krijimin e një hapësire të përshtatshme dhe të nevojshme për të institucionalizuar përjetimet e të burgosurve shqiptarë të Kosovës nën regjimin jugosllav e më pas atë serb. Muzeu i cili do të jetë si rezultat final nga vendimi i sotëm, do të shërbejë si një kujtesë e sakrificës që kanë bërë shqiptarët e Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë”,  citon komunikata te këtë thënë ministrja, ministrja Dumoshi.