Nis procesi i numërimit të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe të personave me nevoja dhe rrethana të veçanta.

Votat janë të votimeve të rundit të dytë për kryetarë të 21 komunave, që u mbajt të dielën më 14 nëntor.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë ditës së zgjedhjeve janë hedhur 10,303 vota të cilat janë vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Kurse, pas procesit të verifikimit të tyre, janë konfirmuar 9,313 vota me kusht, ndërsa janë refuzuar 990.

Arsyet e refuzimit KQZ i ka kategorizuar në 3 grupe: Votuesi me kusht ka votuar më shumë se një herë; votuesi me kusht nuk është në listën e votuesve; dhe votuesi me kusht nuk është nga komuna në të cilën ka votuar.

Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është angazhuar që të përmbyllë procesin e zgjedhjeve lokale, i cili ka filluar në mes të muajit qershor, pasi ishte shpallur data e zgjedhjeve lokale.

Deri më tani, KQZ ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për 38 kuvendet komunale dhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për kryetarë të 17 komunave, që janë mbajtur më 17 tetor.

Derisa, në proces është shpallja dhe certifikimi i rezultatit përfundimtar të rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 21 komunave që u mbajtën më 14 nëntor.

Sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare të një procesi zgjedhor, kjo bëhet nga KQZ-ja pasi të bëhet numërimi i votave nga jashtë Kosovës; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht; si dhe pasi të marrim konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar/vendosur.

Pas përmbylljes së këtyre proceseve të parapara me ligj, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rezultatet përfundimtare.