Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nis numërimi i votave me kusht për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht për Zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura dje në katër komunat në veri.

Procesi i numërimit të këtyre votave do të behet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

KQZ ka ftuar të gjithë vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vëzhgojnë këtë proces.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.

Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.