Nis nga fillimi gjykimi për vrasje në rastin ‘Shega’

Të akuzuarit lidhur me vrasjen e dyfishtë në restorantin “Shega” kanë dalur sërish para gjykatës.

Gjykata e Prishtinës ka nisur rigjykimin për vrasjen që kishte ndodhur me 2 maj të 2014, ku kishin mbetur të vdekur Nazim Gërvalla dhe Lutfi Saraqi.

Lidhur me këtë rast, Besim Istrefi po akuzohet për vrasje, vepër për të cilën ai u deklarua se është i pafajshëm.

Besart Istrefi u deklarua i pafajshëm për vrasje të rëndë por e pranoi fajësinë armëmbajtje pa  leje.

Ndërsa I akuzuari Jeton Saraqi, u deklarua i pafajshëm për tentim vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata mori vendim me të cilin i’a zëvendësoi masën e paraburgimit me arrestin shtëpiak të akuzuarit Besart Istrefi.

Poashtu gjykata vendosi që në seancën e radhës t’i ftojë dëshmitarët Adem Dautaj dhe Abedin Sahitaj si dhe ekspertët e balistikës për t’u deklaruar lidhur me këtë çështje .

Seanca e rradhës u caktua me datën 23.10.2019 në orën 09:30.

Në ngjarjen tragjike që kishte ndodhur me 2 maj të vitit 2014 në restorantin “Shega” ishin vrarë Nazim Gërvalla e Lutfi Saraçi.

Të plagosur të asaj ngjarje kishin mbetur edhe babë e bir, Besim dhe Besart Istrefi, të cilët një vit rreth një vit me vonë u akuzuan nga Prokuroria në lidhje me atë rast.

Besim Istrefi u akuzua për vrasje ndërsa Besart Istrefi për vrasje të rendë dhe armëmbajtje pa leje.

Në këtë rast u akuzua edhe Jeton Saraçi, ai akuzohet për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës ngjarja tragjike kishte ndodhur pasi Jeton Saraçi, i ulur në tavolinë me Adem Dautajn dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi e Nazim Gërvalla kanë filluar me kërcënime e tone të larta ndaj kamerierëve të cilët kishin filluar mbylljen e restorantit.

Aktakuza përshkruan se pas këtyre kërcënimeve kishte filluar konflikti në mes tyre dhe Besim e Besart Istrefi, konflikt pas së cilit ishin shkaktuar vrasjet dhe plagosjet.

Në lidhje me këto akuza gjatë vitit 2018, Gjykata e Prishtinës pronarët e restorantit ndërsa Jeton Saraci ishte liruar.

Gjykata e kishte dënuar Besim Istrefin me 7 vite burgim ndërsa Besartin me 5 vite e katër muaj.

Të pakënaqur me ketë vendim mbrojtësit e të akuzuarve që ishin dënuar si dhe Prokurori i shtetit kishin paraqitur ankesë në gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit pas vlerësimit të lëndës gjeti se vendimi i marrë është në kundërshtim me kodin e procedurës penale.

Sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë nuk është  arsyetuar mjaftueshëm dhe si pasojë e saj ka bërë që të jetë i paqartë.

Për t’i shmangur shkeljet e konstatuara Apeli ka vendosur që çështjen ta kthejë në rigjykim

Dënime me burg për vrasjen në restorant ‘Shega’