Nis nga fillimi gjykimi i të akuzuarit për vrasjen e burrit në Rahovec

Feriz Hoti, i akuzuari për vrasjen e Hamdi Jusufit në maj të vitit 2017 në Ratkoc të Rahovecit, sot doli prapë para Gjykatës së Gjakovës

Hoti, në mungesë të provave ishte liruar nga akuza e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje në shtator të vitit 2018.

Prokuroria akuzonte Hotin se këto vepra i kishte kryer natën e 17 majit të vitit 2017, në fshatin Ratkoc të komunës së Rahovecit, ku kishte qëlluar drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij, duke e lënë të vrarë Hamdi Jusufin nga Gjilani.

Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë së Gjakovës, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin se dëshmitari Bajram Morina duhej të ballafaqohej drejtpërsëdrejti me të akuzuarin Feriz Hoti.

Ndërkaq, sot në seancën e parë të rigjykimit të udhëhequr nga gjyqtari Gëzim Pozhegu, i ndihmuar edhe nga gjyqtarët Ilir Rrashkaj dhe Myfera Hoxha, dëshmoi dëshmitari Bajram Morina, i cili kishte arritur të vinte nga jashtë shtetit.

Dëshmitari Bajram Morina, tregoi se atë natë nuk kishte arritur ta identifikojë personin që kishte gjuajtur me armë, pasi që kishte qenë duke ngrënë byrek në një furrë në orën 01:00 të natës.

“Kam dëgjuar zëra duke thënë “ndal ndal” dhe kam parë tre persona duke vrapuar në drejtim të fshatit Vrajak. Ata kanë qenë të veshur me të zeza dhe pastaj njërin prej tyre e kam parë që ka rënë në tokë”- deklaroi dëshmitari Morina.

Ai tregoi që kishte dëgjuar një ose dy të shtëna dhe kishte vërejtur një person të veshur me të bardha, që kishte pasur diçka në dorë.

Më pas, pas kërkesës së prokurorit Ali Uka, dëshmitari Bajram Morina u kthye me kokë për të shikuar nëse i akuzuari Feriz Hoti, ngjason me personin që kishte parë atë natë, mirëpo ai e mohoi një gjë të tillë, duke thënë që të akuzuarin e njeh vetëm si figurë.

Seancat e radhës, u caktuan për datat 24, 26 dhe 28 gusht.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti pasi që dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F” për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër personave që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kishte kërkuar të ndalen duke i sharë, e më pas kur ata kishin vazhduar të ikin, ai vazhdoi të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Hoti, ishte deklaruar i pafajshëm rreth akuzës së Prokurorisë.

Në këtë rast, ishte rihapur gjykimi, për shkak të gjetjes së një dëshmitari të arratisur më parë nga burgu.