Foto/ Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë

Nis nënshkrimi i kontratave mes qytetarëve serbë në Kosovë me Serbinë

Në katër komuna në veri të Kosovës, sot ka filluar nënshkrimi i kontratave ndërmjet Serbisë dhe serbëve të larguar nga institucionet e Kosovës.

Kështu kanë bërë të ditur Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë gjatë ditës së sotme të cilat madje kanë publikuar edhe foto derisa qytetarët serb shihen duke nënshkruar kontratat.

“Në këtë mënyrë premtimi i bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qytetarëve tanë në Kosovë të larguar nga institucionet, se shteti do të kujdeset për secilin prej tyre dhe se askush nuk do të mbetet pa përkrahje të shtetit, po përmbushet”- thuhet në njoftimin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Me këto kontrata sipas njoftimit serbët që janë larguar nga institucionet do të kenë të rregulluara të gjitha obligimet nga marrëdhëniet punë-juridike, pensionale, sigurime shëndetësore e të tjera.

Tutje thuhet se pagesa e këtyre përfitimeve do të nisë rregullisht dhe qytetarët do të kenë para në llogaritë e tyre që nga dhjetori.

“Prandaj, të gjitha të ardhurat që kanë marrë në sistemin e Prishtinës tani do të vijnë nga shteti i tyre i Serbisë”- thuhet tutje në njoftim.

Ditë më parë, zyrtarët serb të cilët jetonin në katër komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës e që punonin në institucionet e Kosovës kanë ofruar dorëheqjet e tyre pas suspendimit të ish- drejtorit të policisë në atë zonë Nenad Gjuriq.

Gjuriq u suspendua nën dyshimin për sabotim dhe thirrje për rezistencë kur mohoi të shqiptoj qortime për qytetarët serb që kanë tabela ilegale në veturat e tyre.