Nis ndërtimi i çerdhes publike në Skenderaj

Sot është vënë gurthemeli i fillimit të punimeve për ndërtimin e çerdhes publike në Skenderaj, përkatësisht në afërsi të shkollës së Mesme Teknike “Anton Çetta” në qytet.

Më këtë rast, përveç kryetarit të Komunës, Bekim Jashari, me stafin e tij ka marrë pjesë edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, si bashkëfinancues të këtij projekti.

Kryetari Jashari theksoi se qyteti i Skenderajt ka pasur nevojë për këtë çerdhe, por dhe jo vetëm.

“Sapo vumë themelin e çerdhes në lagjen 2 afër Shkollës Teknike. Një projekt që ka pas nevojë shumë qyteti ynë. Nevojat dhe kërkesat nga qytetarët janë të mëdha për çerdhe tjera. Është projekt në bashkëfinancim nga Ministria Rajonal, që na kanë mbështet edhe në projekte të kaluar”, tha ai duke shtuar rëndësinë e kontributit në çerdhe pasi sipas tij, gjithçka në jetë fillon me fëmijët.

Ndërkaq, ministri Kervan deklaroi se ndihet i lumtur që në kuadër të MZHR po kontribuojnë në vendin “që i dha shumë Kosovës”.

“Jam i lumtur që jam prezent këtu. Natyrisht që si në të kaluarën, edhe në këtë projekt që do të kontribojmë. Ju shumë keni dhënë si shoqëri, për ndërtimin e shtetit tonë, me krenari jemi këtu për të kontribuar, sepse siç e ceket edhe ju gjithçka fillon me fëmijët”, u shpreh ai.

Pas fjalimeve është bërë prezantimi i projektit nga ana e projektueseve.

Komuna e Skenderajt aktualisht ka dy çerdhe, një në qytet dhe tjetrën në Banjë të Runikut. Nga kjo komunë kanë paralajmëruar ndërtimin edhe të një çerdhe tjetër, me financim të Bashkim Evropian.