Pamje nga konferenca shkencore ‘Java e Albanologjisë’. Foto: KALLXO.com.

Nis konferenca shkencore e albanologjisë në Prishtinë

Për të 13-ën herë ka nisur sot në Prishtinë, Konferenca shkencore “Java e Albanologjisë”.

Kjo konferencë organizohet nga Instituti Albanologjik në Prishtinë. Në edicionin e sivjetëm të kësaj jave pritet të marrin pjesë rreth 90 studiues të shkencave albanologjike.

Hysen Matoshi, drejtor i Instituti Albanologjik tha në fjalës hapëse se ky institut ka luajtur një rol thelbësor në zhvillimin e shkencave albanologjike, për dekada me radhë.

Matoshi tha se këtë vit aktivitetet e kësaj do të zhvillohen në 5 sesione: gjuhësi, histori, letërsi, etnologji dhe folklor.

“Kjo konferencë mbahet në vigjilje të tre përvjetorëve të rëndësishëm të shkencave albanologjike, 60 vjetorin e botimit të numrit të parë të revistës, ‘Gjurmime albanologjike’; 50 vjetorit të standardizimit të gjuhës shqipe, dhe 40 vjetorit të revistës ‘Gjuha shqipe’”, tha drejtori Matoshi.

Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, potencoi se kjo javë po mbahet në frymën e bashkërendimit të tri qendrave albanologjike, në Tiranë, Shkup e Prishtinë.

“Edhe ITSHKSH në Shkup është pjesë e kësaj fryme më shpresë së ky viti do të shënojë gatishmërinë tonë që të veprojmë si një trung me disa degë”, ka tha Asani.

Valter Memishaj, duke lexuar fjalën përshëndetëse të Luan Përzhitës, rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, ka thënë se “Java e Albanologjisë” jep mundësi për prezantim, studime dhe njohje me të arriturat albanologjike.

“Një erë e re po frynë në fushën e bashkëpunimeve mes institucioneve albanologjike në trojet shqiptare”, tha ai.

Ndërsa, sekretari shkencor i Institutit Albanologjik, Lulëzim Lajçi ka prezantuar botimet e IAP-së për 2021.

“Numri prej 30 veprash të botuara gjatë viti 2021, dhe 717 vëllimeve të botuara në 5 dekadat, është fryt i punës së punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të IAP-së”, tha Lajçi

Aktivitetet

Për dallim nga vitet e fundit, në edicion e sivjetëm pesë sesionet e Konferencës, në gjuhësi, letërsi, histori, folklor dhe etnologji, do të zhvillohen në ditë të ndara.

Sipas programit të prezantuar do të lexohen 86 kumtesa në sesione të veçanta. Rezultatet e kësaj konference do të botohen në dy vëllimet Albanologji, të cilat Instituti i publikon tash e 12 vjet.

Sipas shefit të Degës së gjuhësisë së IAP-së. Naim Berisha, sivjet shënohen dy përvjetorë shumë të rëndësishëm, Jubileu i 50-të i Kongresit të Drejtshkrimit dhe jubileu i 40-të i revistës “Gjuha shqipe”.

“Siç jemi shprehur edhe në thirrjen që ua kemi drejtuar qendrave albanologjike, në 50-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit të shqipes, në këtë jubile të rëndësishëm për gjuhën dhe kulturën shqiptare, nuk ka se si të mos merren parasysh rezultatet që u arritën dhe u publikuan në revistën shkencore ‘Gjuha shqipe’”,  tha Berisha.

Punime e edicionit të 13-të të ‘Javës së Albanologjisë” mbyllen me 10 qershor 2022.

Pamje nga konferenca shkencore ‘Java e Albanologjisë’. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga konferenca shkencore ‘Java e Albanologjisë’. Foto: KALLXO.com.
Botime e IAP, 2021. Foto: KALLXO.com.