Nis intervistimi i të dyshuarve për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla

Policia e Kosovës ka njoftuar sonte se ka arrestuar tre persona si të dyshuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

Tre të dyshuarit L.Dervishi, K.Hasani dhe O.Hasani po dyshohen për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.

Siç mëson KALLXO.com, të dyshuarit janë në stacion policor duke u intervistuar nën dyshimet për sulmin ndaj gazetarit Syla.

Fillimisht rasti ishte klasifikuar si – lëndim i lehtë trupor, derisa është ricilësuar në – nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.

Rastin ka nisur ta trajtojë Drejtoria Kundër Terrorizmit- Departament ky brenda Policisë së Kosovës dhe Prokuroria Speciale.

Gazetari Valon Syla është sulmuar në orët e vona mbrëmë ndërsa ka marrë trajtim mjekësor në QKUK.

Deri më tani ende nuk është e qartë se cilat ishin arsyet që shtynë të dyshuarit të kryenin aktin e sulmit ndaj gazetarit Syla.

Arrestohen tre persona për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla