Nis gjykimi në rastin “Abi Çarshia”, tensione mes avokatëve dhe prokurorit në sallë

Një gjykim me tensione është zhvilluar sot në Gjykatën e Prizrenit kur prokurori Mehdi Sefa u përball me katër avokatë dhe gjashtë të akuzuar, në rastin e njohur si “Abi Çarshia”.

Në këtë rast pesë zyrtarë të Prizrenit po akuzohen se rrënuan një aneks pa leje të qendrës tregtare “Abi Çarshia”, edhe pasi pronari kishte aplikuar për legalizim. Sipas prokurorisë me këtë vepër, komuna i ka shkaktuar dëm financiar Irfan Fushës, ish-kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Seanca e sotme filloi e qetë, por nuk u desh shumë kohë kur avokatët dhe prokurori filluan polemikat ndërmjet tyre që filluan në seancë e nuk u ndalën as pas përfundimit të seancës.

Madje, disa herë  është dashur edhe ndërhyrja e gjyqtares Kymete Kicaj për të qetësuar situatën në sallë të gjykimit.

Aktakuzën e Prokurorisë ndaj ish- drejtori të Inspektoratit IslamThaqi dhe 5 zyrtarëve tjerë të Prizrenit, në muajin mars të këtij viti gjyqtarja e rastit Kymete Kicaj e kishte kthyer në plotësim dhe përmisim.

“Aktakuza është konfuze, dhe si e tillë nuk lejon mundësinë e një procedure të drejtë pa zvarritje e pengesa të këtij procesi, sa kompleks, aq edhe të ndjeshëm” e kishte cilësuar Gjykata aktakuzën e Prokurorisë.

Gjyqtarja kishte kërkuar nga Prokurori Sefa që të individualizojë veprimet e secilit të akuzuar në drejtim të veprës penale që pretendohet se është kryer.

Aktakuza sipas saj duhej të qartësohej lidhur me mënyrën e kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohen zyrtarët bashkë me drejtorin Islam Thaçi, duke qartësuar nëse vepra penale është kryer me veprim apo me mosveprim.

Prokurori i rastit Mehdi Sefa i ka paraqitur gjykatës aktakuzën e re, në të cilën ka precizuar veprimet e secilit të akuzuar, duke i ndarë në disa paragrafë, mirëpo pjesa e aktakuzës ku të gjithë të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare nuk ka ndryshuar.

Të akuzuarit Islam Thaqi dhe pesë zyrtarë të tjerë të Komunës, Jetmire Vrenezi, Egzona Morina Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit dhe Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për të dytën herë.

Pas paraqitjes së aktakuzës së re nga Prokurori Mehdi Sefa, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre sërish kanë paraqitur kundërshtimet e tyre për provat e aktakuzës dhe kundërshtime tjera.

“Kjo është aktakuzë e lajmeve”, “As që presim që prokurorit me i pëlqy kundërshtimet tona”, “Jemi si në teatër këtu”, “Aktakuzë më shumë se qesharake”, ishin disa nga “thumbimet” që i drejtonin avokatët mbrojtës prokurorisë.

Në anën tjetër, prokurori Mehdi Sefa deklaroi se aktakuzën e ka të mbështetur në prova të cilat janë të pranueshme për gjykatën, duke përfshirë deklaratat e të akuzuarve, deklaratën e të dëmtuarit, ekspertiza e ekspertit të ndërtimtarisë, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), të cilave vendime prokurori thotë se të akuzuarit nuk u janë përmbajtur.

Prokurori i rastit ka thënë se përpos provave që ka propozuar në aktakuzë ka edhe prova tjera që janë incizime nga mediat që kanë qenë të pranishme në ditët kritike por të cilat prova prokurori i rastit tha që nuk i kanë bashkangjitur si prova në aktakuzë.

Ish- Kryeinspektori Islam Thaqi që tash është drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit, tha se gjatë hetimeve kishte dorëzuar në Prokurori 78 prova materiale, që sipas tij asnjë provë e vetme nuk është vlerësuar nga ana e Prokurorisë

Ndërsa Prokurori Mehdi Sefa tha aktakuza është e bazuar në provat që Prokuroria i ka konsideruar relevante dhe me rëndësi për çështjen, ndërsa këto prova të cilat i posedon i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, prokurori propozoi që të paraqiten gjatë shqyrtimit gjyqësor duke u zotuar se nuk do t’i kundërshtojë.

Por, gjyqtarja e rastit Kymete Kicaj i ‘u drejtua prokurorit duke i thënë se “Gjykata nuk është organ i hetuesisë dhe se është punë e Prokurorisë të vlerësojë dhe t’i marrë parasysh të gjitha provat”.

Përfundimi i seancës dhe largimi i gjyqtares nga salla e gjykimit nuk i ndali përballjet ndërmjet prokurorit Mehdi Sefa dhe katër avokatëve mbrojtës, të cilët vazhduan të debatonin për pretendimet e akuzës.

Prokuroria në aktakuzë ka përfshirë të gjithë pesë zyrtarët së bashku me ish-Drejtorin e Inspektorateve, Islam Thaçi në një pikë të aktakuzës duke i përfshirë si të bashkë akuzuar.

Në aktakuzë, Prokuroria të akuzuarit Arian Taraku dhe Isë Bislimaj i ka cilësuar si zyrtarë – teknikë në Drejtorinë e Inspektorateve, mirëpo që të dy para Gjykatës kanë deklaruar se tash janë të papunë.

Edhe i akuzuari Shqipëron Krasniqi, për të cilin në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se është përfaqësues ligjor i Komunës, në Gjykatë kishte thënë se është i papunë.

Prokuroria pretendon se që të gjithë të akuzuarit kanë ditur se i dëmtuari Irfan Fusha ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, prandaj “të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet  e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç‘rast gjatë rrënimit ABI SH.P.K në Prizren i kanë shkaktuar dëm material”.

Prokuroria në aktakuzë si të dëmtuar në këtë proces e ka cilësuar pronarin e “Abi Çarshia”, Irfan Fushën, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Drejtoria e Inspektoratit në Prizren me datën 19 korrik 2019 ka rrënuar aneksin e objektit pa leje të qendrës tregtare “Abi Çarshia“.

Gjashtë ditë më vonë, Prokuroria e Prizrenit kishte filluar hetimin ndaj zyrtarëve të Komunës, ndërsa po të njëjtën ditë Gjykata në Prizren kishte vendosur masë të përkohshme ndaj rrënimit të objektit pa leje, duke i obliguar palët të mos ndërmarrin asnjë veprim tjetër.

Rrënimi i aneks objektit pa leje sipas një ekspertize të urdhëruar nga Prokuroria arrin shumën prej 69,729.66 euro.

KALLXO.com në korrik të vitit 2019 pati publikuar hulumtimin për zhvillimet rreth qendrës tregtare “Abi Çarshia”, duke filluar nga privatizimi i tokës në vitin 2011, deri te marrja e lejes për ndërtim në vitin 2017, dhe rrënimi i aneks-objektit pa leje me 19 korrik 2019.

Edhe pse gjatë vitit të kaluar patën probleme e akuza ndaj njëri – tjetrit, Komuna e Prizrenit dhe Kompania “ Abi ShPK“ duket se kanë gjetur gjuhë të përbashkët dhe atë nëpërmjet një kontrate të nënshkruar në vlerë prej 30 mijë euro.

Kompania e Irfan Fushës merr tender 30 mijë euro pa konkurrencë në Komunën e Prizrenit