Goran Stanishiq në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Nis gjykimi ndaj Goran Stanishiqit, i akuzuar për vrasje të civilëve shqiptarë në Sllovi të Lipjanit 

Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës ka filluar gjykimin e Goran Stanishiqit, i cili po akuzohet për krime lufte të kryera në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999, si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Këto akuza për të dytën herë i ka mohuar i akuzuari Goran Stanishiq.

Ai është deklaruar i pafajshëm në katër pikat e aktakuzës, e cila e ngarkon për vrasje dhe dëbim.

Sipas Prokurorisë Speciale, Goran Stanishiq gjatë 15 dhe 16 prillit 1999 ka kryer krime lufte kundër popullatës civile shqiptare dhe atë ndaj fqinjve të tij.

Në aktakuzë thuhet se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes G., vrasjen e F. B., Z. G. dhe personave të tjerë të ciltë sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetatarë dhe ishin pushkatuar.

Gjatë seancës Prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarit dhanë fjalët hyrëse.

Përderisa prokurorja Drita Hajdari deklaroi se do të provojë se Goran Stanishiq ka kryer këto krime, Lubomir Pantoviq i cili mbron të akuzuarin, deklaroi se fundi i gjykimit do të tregojë se klienti i tij nuk ka marrë pjesë në kryerjen e këtyre krimeve.

Goran Stanishiq ishte arrestuar në korrik të vitit 2019 nën dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare.