Nis gjykimi ndaj gjyqtarit Rafet Ismaili, i akuzuar për ushtrim ndikimi
204 ditë nga ngritja e aktakuzës për ta, gjykatësi Rafet Ismajli dhe polici Blerim Gashi, sot janë ulur në bankën e të akuzuarve për veprën penale ushtrim ndikimi.
Avokati Tahir Rrecaj, mbrojtës i të akuzuarit Rafet Ismajli për KALLXO.com, tha se sot kanë dhënë fjalën hyrëse në këtë proces gjyqësor.
“Sot, pasi u lexua aktakuza dhe dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, kemi dhënë fjalën hyrëse në këtë proces penal” tha avokati Rreci për KALLXO.com
Avokati Rreci tha se seanca e radhës në këtë proces është caktuar më 2 tetor.
Pas ngritjes së aktakuzës, gjykatësi Rafet Ismajli është pezulluar nga puna dhe merr pagën me zbritje prej 50%.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Ismaili më 28 gusht 2019 në veturën e dëshmitarit F. Z. derisa ishin duke udhëtuar nga Skenderaj për në Prishtinë ka marrë 1,500 euro me qëllim që të ushtrojë ndikim te kryetari i Gjykatës së Mitrovicës.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ismaili kishte për qëllim të ushtrojë ndikim te kreu i Gjykatës së Mitrovicës për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vjet e 10 muaj ndaj dëshmitarit F. Z.
Ndërsa për ish-zyrtarin policor Blerim Gashi, Prokuroria thotë se më 28 gusht 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, kishte marrë shumën prej 1,000 euro nga dëshmitari F.Z. me pretendimin se i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim te gjykatësit e Gjykatës Supreme.