Foto: KALLXO.com

Nis gjykimi i Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit, dëshmojnë prindërit e 18-vjeçares

Në Gjykatën e Ferizajt ka nisur zyrtarisht gjykimi i Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të cilët po akuzohen për vrasjen mizore të 18-vjeçares, Marigona Osmani.

Në seancën e sotme ka nisur administrimi i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve.

Dëshmitarët e parë ishin prindërit e viktimës.

Nëna e Marigona Osmanit, Valdetja, u është përgjigjur vetëm pyetjeve të prokurorit të rastit, Valdet Avdiu, dhe të gjyqtarit Sahit Krasniqi, meqë avokatët dhe të akuzuarit nuk patën pyetje.

Valdete Osmani rrëfeu se si kishin rrjedhur ngjarjet brenda familjes prej kur kishin kuptuar për lidhjen e Marigonës me Dardan Krivaçën, të cilit dëshmitarja refuzonte t’ia përmendte emrin.

Në pyetjen e gjyqtarit se a kishin vërejtur ndonjë ndryshim tek e bija, të dy prindërit deklaruan se kanë vërejtur ndruajtje, frikë dhe ndryshim në qasjen e vajzës së tyre.

“Te Marigona kam vërejtur njëfarë frike, tute, nuk ishte e lirë, Dardani nuk e lejojke që të largohej nga vetja” – tha nëna e Marigona Osmanit.

Ndër të tjera, prindërit theksuan se që nga koha kur kanë qenë në dijeni për lidhjen e të bijës, kanë vënë re humbje peshe, zbehje e ndonjëherë edhe shenja në trup.

“Kam vërejtur shenja nëpër trup, e fytyrë, mirëpo nuk kam mundur ta pyes. Kam bisedu me të, ajo s’ka tregu kurrgjëë, u kanë shumë e lodhtë, rrijke vetëm shtrirë” – tha nëna e Marigona Osmanit në seancë.

Ajo foli edhe për ditët e fundit sa ishte gjallë e bija. Për herë të fundit tha se ka biseduar me Marigonën të premten e 20 gushtit 2021.

“Unë të premten kam bisedu me Marigonën, edhe kjo ka qenë biseda e fundit, e kam thirrë edhe në mbrëmje e s’u lajmëru se ky më ka thënë që vetëm një herë në ditë ke me fol me çikën tende” – shtoi nëna e Marigona Osmanit.

Në anën tjetër, Muhabi Osmani, babai i viktimës, tha se vajza e tij, Marigona, ka qenë e kërcënuar dhe e mashtruar nga Dardan Krivaça.

“Ajo ka qenë e frikësuar, e kërcënuar, prej frikës s’ka guxu me na tregu neve. Unë e njoh vajzën time, e kanë keqpërdorur, në mënyrë profesionale e ka kapur për dore që mos me dyshu na, e kanë mashtru, bindja ime 1000 % që ka qenë e kërcënuar” – tha Muhabi Osmani.

Në fund, Muhabi Osmani deklaroi se beson në Gjykatën që do të vendosë drejtësi dhe kërkon nga e njëjta që të shqiptojë dënim meritor.

“Unë kërkoj nga trupi gjykues që të marrin dënimin e merituar, veç ajo e din çka ka hjekë, çfarë mizorie kanë bo këta. Kërkoj që t’i shqiptojë dënim kapital për të dytë” – kërkoi Muhabi Osmani.

Në këtë seancë është dhënë edhe fjala hyrëse dhe të akuzuarit përsëri nuk pranuan fajësinë.

I akuzuari Dardan Krivaça tha se ajo çka Prokuroria po pretendon nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar kurrë.

Rasti që ka tronditur opinionin publik ka ndodhur më 22 gusht 2021.

Një 18 vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

Bëhej fjalë për Marigona Osmanin, e cila sipas Prokurorisë ishte vrarë mizorisht nga Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu.

Dosja e Prokurorisë

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit.

Raportimet e KALLXO.com për këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.