Pamje nga hapja e “Fotoist 2024”. Foto: ZKM
Nis festivali “Fotoist”, kryeministri Kurti: Çdo foto është dëshmi e vlerave demokratike të Kosovës
Ka nisur sonte, më 30.08.2024, edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë- “Fotoist” në Prishtinë
Në ceremoninë e hapjes së këtij festivali mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se një festival i këtillë në rajonin tonë ka vlerë të madhe përtej fotografisë si medium.
“Fotografia është historiani i heshtur i rrugëtimit tonë- çdo foto është një dëshmi e vlerave demokratike të Kosovës, të këtij populli, i cili ka vuajtur shumë, e megjithatë e ka fuqinë për të shikuar përpara dhe për të ecur përpara, me ç’rast pikërisht fotografia e kap edhe thelbin e rritjes sonë”- ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur edhe buxhetin i cili ndahet për të mbështetur skenën e pavarur kulturore në Kosovë.
“Në vitin 2021, ne buxhetin për skenën e pavarur kulturore e kemi gjetur me 1 milion euro, kurse këtë vit shënon rritjen më të madhe ndonjëherë me 9 milionë euro, duke përfshirë sektorin e pavarur në kulturë dhe në trashëgimi kulturore”, tha kryeministri Kurti.
Gjatë këtij edicioni të “Fotoist”, do të organizohen një sërë ekspozitash të fotografëve të njohur vendas dhe të huaj.
Festivali “Fotoist” zgjat deri më 03.08.2024.