Galeria e Arteve e Kosovës. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nis bashkëpunimin Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Shqipërisë

Galeria Kombëtare e Arteve të Kosovës dhe Galeria Kombëtare Shqipërisë kanë nisur  bashkëpunimin me organizimin e ekspozitës në grup të artisteve nga Shqipëria dhe Kosova.

Ky projekt është iniciuar nga Galeria Kombëtare e Arteve (GKA)në vitin 2019, thuhet në njoftimin e përbashkët të dy galerive.

Ky bashkëpunim do të nis me ekspozitën “Synime” me kuratoret Erëmirë Krasniqi dhe Adela Demetja, në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri- Kosovë.

Ky Kalendar është nënshkruar midis Ministrisë së Kulturës në Shqipëri dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë.

Ekspozita “Synime” do të hapet fillimisht në Galerinë Kombëtare të Arteve, në dhjetor 2020, dhe udhëton më pas drejt Prishtinës për t’u prezantuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në prill 2021.

“Kjo ekspozitë kërkon të prezantojë veprat dhe veprimtarinë artistike të artisteve të cilat në koleksionet publike të dy vendeve, por edhe në ato private vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara” thuhet në njoftim.

Puna hulumtuese e dy skenave artistike e filluar prej disa muajve do të prezantohet në formën e një publikimi në maj të vitit 2021.

Ekspozita “Synime” nxjerr në pah pozicionet artistike dhe metodologjitë individuale të grave artiste në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.

Synimi i saj është  zgjerimi i historisë së grave në art dhe shqyrton terrene të reja kritike për të ripërvetësuar dhe ripërfytyruar subjektivitetin e grave në historinë e artit.