Nis auditimi i projekteve të agjencisë e cila është përgjegjës për IT-në e institucioneve të Kosovës

Projektet e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (AShI), për sistemet e teknologjisë së informacionit kanë filluar të auditohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Ky auditimi sipas ZKA-së, ka për qëllim vlerësimin e menaxhimit të projekteve të TIK-ut nga kjo agjenci.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar se ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temën “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (AShI)” për periudhën  2019 – 2022.

Sipas ZKA-së, subjekt i auditimit është Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI) që është përgjegjëse për zhvillimin dhe zbatimin e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK) për institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe menaxhon Qendrën e të Dhënave Shtetërore.

Tutje thuhet se qëllimi i këtij auditimi është që të vlerësohet se si Agjencia i ka menaxhuar projektet e sistemeve të TIK-ut si dhe sa ka qenë efektive në vlerësimin e projekteve përfshirë procesin e inicimit, planifikimit, zbatimit dhe monitorimit.

AShI-ja ka për qëllim digjitalizimin e shërbimeve të institucioneve dhe lehtësimin e qasjes në këto shërbime përmes platformave elektronike.

Nga viti 2013 e këndej, kjo agjencia ka kontraktuar mbi 24 milionë euro

“Prej vitit 2013 deri më tani AShI-ja ka bërë investime të vazhdueshme në TIK duke realizuar dhe menaxhuar rreth 45 kontrata në vlerë mbi 24 milionë euro. Investimet kryesisht janë drejtuar në projekte të ndryshme, si: blerjen dhe mirëmbajtjen e harduerit, ruajtjen dhe procesimin e të dhënave dhe sigurisë kibernetike për Qendrën e të Dhënave Shtetërore.”-thuhet në njoftim.

Po ashtu, është investuar në ofrimin e shërbimeve të TI-së për institucionet publike, në zhvillimin e sistemeve të softuerit, zhvillimin e sistemit për ndërveprim të sistemeve elektronike të Qeverisë së Kosovës, zhvillimin e e-shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, në marrjen e shërbimeve si dhe në trajnime të stafit për ngritje të kapaciteteve profesionale.