Nis aplikimi për patent-shofer ndërkombëtar, deri më tani mbi 100 kërkesa në MPB

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka bërë të ditur se kanë filluar aplikimet për patentë-shofer ndërkombëtar.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com në një përgjigje me shkrim Zyra për Komunikim Publik e MPB-së.

Deri më tani, në këtë institucion janë paraqitur mbi 110 kërkesa për patentë-shoferë ndërkombëtar.

“Tashmë kemi filluar  me aplikime  për patentë shoferë ndërkombëtarë dhe deri më tani nuk kemi ndonjë vërejtje. Deri më tani janë paraqitur mbi 110 kërkesa për patentë shoferë ndërkombëtarë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ministria kishte njoftuar se aplikimi do të bëhet në të gjitha qendrat për pajisje me dokumente.

“Aplikimi do të bëhet në të gjitha Qendrat për Pajisje me Dokumente, sipas  procedurave të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ Nr. 08/2020, për Përcaktimin e Formës, Përmbajtjes dhe Procedurës së Lëshimit të Patentë Shoferëve ndërkombëtar në Republikën e Kosovës,” thuhej në njoftim.