Nipi i Hashim Thaçit dhe djali i Agim Veliut bashkë në biznesin e sigurimeve

Një hulumtim i KALLXO.com zbulon se Kushtrim Thaçi dhe Naser Veliu janë anëtarë në Bordin Drejtues të kompanisë së sigurimeve “Kosova e re”.

I pari, Kushtrimi, është djali i Gani Thaçit, vëllait të presidentit Hashim Thaçi. Ndërsa, Naser Veliu është djali i ministrit aktual të Punëve të Brendshme dhe nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu.

 

 

Kompania e sigurimeve “Kosova e re” është në pronësi të një kompanisë tjetër “Fitorja Sh.P.K”.

Sipas legjislacionit në fuqi, Ligjit për Sigurime, bordet e kompanive aprovohen nga Banka Qendrore e Kosovës. Kështu ka njoftuar BQK përmes një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

“Bazuar në nenin 27 paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/L-045 për Sigurimet, Bordi i Drejtorëve të siguruesve përbëhet nga numri tek, jo më pak se pesë (5) anëtarë me të drejtë vote, që emërohen dhe shkarkohen nga Asambleja e përgjithshme e aksionarëve, me mandat katër (4) vjeçar, me mundësi rizgjedhjeje”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësi të BQK-së.

Propozimi për anëtarë të bordit në kompanitë e sigurimeve nuk rregullohen me legjislacionin në Kosovë.

Sipas BQK-së, nipi i Hashim Thaçit, Kushtrim Thaçi është emëruar në Bordin Drejtues të “Kosova e re” më 2 mars të vitit 2016 nga vetë BQK, ndërsa djali i Agim Veliut, Naser Veliu është emëruar në këtë bord më 5 maj 2017.

Se Kushtrim Thaçi është familjar i Hashim Tahcit e ka konfirmuar edhe drejtori i kompanisë “Kosova e re”. Faton Hasani në një bisedë për KALLXO.com tha se të dytë janë profesionistë të fushës.

“Po, po. Sigurisht që po, normal e di që është i familjes së presidentit. Po, po (është djali i Agim Veliut, Naseri). Këta janë anëtar të Bordit para se me ardhë “Fitorja” në “Kosovë të re”, në kohën kur ka qenë pronare kompania turke. Janë pozita që aprovohen prej banës qendrore. Kushtrimi është me profesion ekspert i sigurimeve edhe Naseri është ekonomist”, tha Hasani.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ministrin e Punëve të Brendshme dhe nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu për të marr një koment se kur është emëruar djali i tij në bordin e “Kosova e re”, por ai nuk ka dashur të përgjigjet.

Ndërsa, djali i tij, Naseri, e ka pranuar se është pjesë e Bordit Drejtues por nuk ka dashur ë komentoj afërsinë me nipin e Hashim Thaçit, Kushtetimin.

Ai tha se është krenar që është djali i Agim Veliut, numrit dy të LDK-së.

“Për çka bre Valon m’ke thirrë, bëma pyetjen vllau jem se m’ke lodhë, fol. Besoj që ua ka thënë përgjigjen drejtori i kompanisë. Jam shku dhe i kam gjetë ata aty realisht. Për këtë far pune nuk e di pse po më thirrni. Po jam (djali i Agim Veliut) edhe jam krenar që jam djali i ministrit të Punëve të Brendshme, hajde mirupafshim”, tha ai, duke e mbyllur telefonin.

Telefonin e ka mbyllur edhe Kushtrim Thaçi, djali i Gani Thaçit, vëllait të presidentit Hashim Thaçi. Madje, atij nuk i ka pëlqyer kur është pyetur për afërsinë me presidentin e vendit.

“Po! Po, ju i gjeni ato që sa kohë jam (në Bord). Një i ri, po. Qetash vonë e njoh, që një vit a se di. Moti jam në Bord, këqyre aty…Mos luj ***, tung e ki”, deklaroi Kushtrim Thaçi duke e mbyllur telefonin.

Agim Veliu është aktualisht Ministër i Punëve të Brendshme ndërsa ishte shkarkuar nga Albin Kurti pasi i doli në mbrojtje idesë së presidentit Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Shkarkimi i Veliut ishte motivi i prishjes së koalicionit në mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndryshe, Kushtrim Thaçi, është djali i Ganiut, vëllai i presidentit, Hashim Thaçi. Gani Thaçi për disa vite kishte pozita të larta në Byronë Kosovare të Sigurimit.

Ai në vitin 2012 ishte zgjedhur drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve për t`u dorëhequr nga pozita vetëm disa muaj më vonë për arsye personale.

Në kohën kur Gani Thaçi ishte zgjedhur drejtor, kryetar i Bordit të Byrosë së Sigurimeve ishte Rrahim Pacolli.

Sa ishte drejtor, Thaçi kishte një pagë prej rreth 4 mijë euro. Më pas ai ishte emëruar në pozitën e zv/drejtorit të Byrosë për të cilën paguhej rreth 3 mijë e 500 euro.

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar në shtator të vitit 2011 dhe pjesë të saj janë të gjitha kompanitë e licencuara të sigurimit. Kështu, BKS-ja nuk është institucion publik dhe nuk financohet nga buxheti i shtetit por nga kompanitë anëtare  të sigurimit.

Gjatë kohës sa Gani Thaçi ishte në pozitën e zv/drejtorit, Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për një kontratë që i është dhënë kompanisë të afërt me familjarët e Thaçit.

Thaçi përveç pagës kishte marrë edhe bonuese deri në 10 mijë euro.

Në tetor të vitit 2018, Gani Thaçi, vëllai i presidentit Hashim Thaçi u përfshi në një përleshje fizike në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Pas intervistimit, vëllai i presidentit ishte liruar në procedurë të rregullt. Gani Thaçi ishte pensionuar para kohe, në mes të vitit 2019.