Sala Berisha- Shala - Foto: KALLXO.com

Nipi i deputetes së PDK-së emërohet në bordin e Ujësjellësit

Të martën e kaluar Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kompletoi shtatë Borde të ndërmarrjeve publike.

Kryesuesit i Bordit të Ujësjellësit “Prishtina” është emëruar Betim Berisha. KALLXO.com ka gjetur se ai ishte pjesë e PDK-së dhe ka lidhje familare me deputeten e të njëjtës parti që udhëhiqet nga Kadri Veseli.

Betim Berisha, në vitin 2016, ka qenë zëdhënës i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas. Ai është edhe nipi i deputetes së kësaj partie, Sala Berisha Shala.

Berisha për KALLXO.com tha se ka dhënë dorëheqje nga strukturat e PDK-së para 3 vitesh.

“Jo, kam qenë më herët në PDK por kam dhënë dorëheqje para 3 vitesh, në Drenas kam qenë drejtor në komunë, por kam dhënë dorëheqje prej të gjithave. Këtë vit kam konkurruar në shumë borde dhe këtu jam zgjedhur në Prishtinë”, tha ai.

Tutje ai e pranoi se ka lidhje familjare me deputeten e PDK-së, Sala Berisha Shala.

“Deputeten (Sala Berisha Shala) e kam hallë”, tha shkurt ai për KALLXO.com.

KALLXO.com nuk ka arritur të kontaktojnë me deputetet Sala Berisha Shala. Qeveria Haradinaj është zgjedhur nga votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, duke përfshirë Sala Berisha Shalen.

Pjesë e Bordit të Ujësjellësit “Prishtina”, ku KALLXO.com janë ish-partiakë, simpatizantë dhe aktivistë të partive politike: PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate.

Në këtë bord janë emëruar anëtarët Betim Berisha, Bajram Jashari, Albatron Sahiti, Amir Gashi, Sejdë Tolaj dhe Ilir Rexhepi.