Nimani: Greva në arsim nuk ka filluar në qershor sepse na vinte keq për maturantët dhe gjysmë-maturantët

Pasojat e grevës njëmuajshe në arsim është tema që po diskutohet në emisionin “KALLXO Përnime”.

Sindikatat e kanë suspenduar grevën deri në janar të vitit 2023.

I ftuar në emision është edhe Zenun Nimani nga Këshilli Grevist i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në Gjakovë, i cili ka sqaruar se përse greva në arsim nuk ka filluar në muajin qershor.

Lidhur me këtë Nimani ka thënë se që atëherë ka pasur paralajmërime për grevë.

“Kemi paralajmëruar edhe atëherë, ka qenë protesta ku janë paralajmëruar vetëm kryesia e shoqatave sindikale që kemi qenë në Prishtinë. Ka qenë një orë grevë, është mbajtur më 20 maj protesta e madhe… Masive ka qenë protesta në Prishtinë edhe askujt nuk i ka bërë përshtypje pse.  Edhe që atëherë janë paralajmëruar. Kemi pasur shtytje prej anëtarësisë që me fillu me grevën në qershor herët ose m’i blloku procesin, mos me i përfundu notat, mos me i dhënë pasqyrat e rezultateve” – është shprehur Nimani.

Mirëpo, ai ka thënë se greva në arsim nuk ka filluar në qershor sepse u ka ardhur keq prej maturantëve edhe prej gjysmë-maturantëve.

“Nuk e bëmë sepse na erdhi keq edhe prej maturantëve edhe prej gjysmë-maturantëve… Nuk e kemi ndalur (mësimin në qershor) duke shpresuar se po hyjmë në dialog po bëhet diçka, mos t’i pengojmë maturantët por edhe gjysmë maturantët, me iu ndalu dëftesat, diplomat e ato” – ka vijuar Nimani.

Greva në arsim dhe në sektorin publik ka filluar që nga 25 gushti.

Sindikalistët ndër të tjera kanë kërkuar rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Deri më tani ende nuk është arritur një marrëveshje e përbashkët mes Qeverisë së Kovës dhe SBAShK-ut, por me 1 tetor Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës  (BSPK) ka njoftuar zyrtarisht se kanë pezulluar grevën e filluar më 25 gusht në administratën publike dhe arsim deri në janarin e vitit 2023.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka dekalruar se greva nuk do të ndërpritet por do të pezullohet. Ai po ashtu ka kërkuar nga Qeveria që ta shfrytëzojë pezullimin e grevës dhe të reflektojë.