Nimanbegu: Humbja  e Gjukanoviqit realitet i ri në Mal të Zi

Genci Nimanbegu, kandidat për deputet në Kuvendin e Malit të Zi nga  Lista Shqiptare për Euronews  Albania tha se humbja e partisë së Millo Gjukanoviqit pas shumë dekadave është realitet i ri në Malin e Zi për shqiptarët.

Nimanbegu tha që në Kuvendin e Malit të Zi do të ketë dy deputetë shqiptarë.

“Ky do të jetë një realitet i ri, sigurisht ndoshta ky realitet do të ketë sfidat e veta sa i përket integrimeve euroatlantike apo evropiane sepse është fakt që blloku proserb ka arritur të marrë së paku 37 mandate, që është një rritje për ta krahasuar me mandatin e kaluar por kjo do të thotë që Mali i Zi duhet të ketë një ndryshim të pozicionimit sa i takon shumë çështjeve”, tha Nimanbegu.

Ai tha se partia e tij si faktor shqiptar do të sigurojë vazhdimin e marrëdhënieve të mira me shtetet fqinje, vijimin e rrugës atlantike si dhe do të përqendrohet në atë që ishte tema kryesore e debatit gjatë zgjedhjeve – ekonomia, punësimi.