Nikola Gruevski. Foto: gov.mk

Nikola Gruevski mund të hetohet për pastrim parash

Ish -kryeministri i arratisur i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, mund të përballet me një hetim për pastrim parash pas raportimeve se ai përdori paratë e transferuara nga vendi i tij për të nisur biznese të reja në Hungari, tha ish-prokurorja e Prokurorisë Speciale të Maqedonisë së Veriut, Lence Ristovska.

“Nëse merret informacion se Gruevski ka investuar jashtë vendit, mund të hapet një çështje e re gjyqësore për pastrim parash, duke pasur parasysh se ai ka disa procese gjyqësore kundër tij në këtë vend”, tha Ristovska për Deutsche Welle.

Ajo tha se kjo mund të jetë e mjaftueshme për të nisur një çështje të re ose një para-hetim të ri, i cili do t’i lejojë Maqedonisë së Veriut përmes mekanizmave të ndihmës juridike ndërkombëtare të kërkojnë informacione nga Hungaria se kur Gruevski i hapi llogaritë bankare atje, sa para ka futur ai në to dhe kur, por edhe se kur i hapi ai  llogari për fillimin e një biznesi të ri.

Deutsche Welle të mërkurën raportoi se Gruevski, i cili u largua nga Maqedonia e Veriut në vitin 2018 për të shmangur dënimin me burg, kohët e fundit krijoi një kompani në Hungari.

Firma, I.C.I.C, u regjistrua në qytetin Pecel pranë Budapestit më 14 korrik dhe, sipas të dhënave të regjistrit qendror që DW i mori, zhvillon aktivitete të ndryshme.

Ajo ka një licencë për të bërë gjithçka, nga tregtia me shumicë e porcelanit te xhami, produkte pastrimi, ushqime, pije dhe duhan. Firma është gjithashtu e regjistruar për menaxhim biznesi dhe pasurie, marrëdhënie me publikun, reklama, hulumtim të opinionit publik dhe të tregut, si edhe organizim të konferencave dhe panaireve tregtare.

Ish-kryeministri autoritar, partia e të cilit VMRO DPMNE drejtoi vendin nga viti 2006 në 2016, u arratis në Hungari në vitin 2018 për të shmangur vuajtjen e dënimit me dy vjet burg për blerjen e paligjshme të një limuzine luksoze.

Ndërkohë, Gjykata Penale e Shkupit, në një vendim të shkallës së parë në shtator 2020, e gjeti Gruevskin fajtor në një rast tjetër – për nxitjen e një sulmi mafioz ndaj një komune të drejtuar nga opozita në 2013, për të cilën ai u dënua me një vit e gjysmë tjetër burg.

Në tetor 2020, Gruevski u emërua i dyshuari i parë në një hetim tjetër korrupsioni, në të cilin ai dyshohej për pastrim parash dhe blerje të paligjshme të një trualli në një periferi prestigjioze të Shkupit.

Pasi u arratis në Hungari në 2018, autoritetet në Shkup zbuluan se vetëm dy javë para zhdukjes së tij, ai zbrazi llogaritë e tij bankare. Jo zyrtarisht, thuhet se ai tërhoqi disa qindra mijëra euro.

Kreu i Agjencisë së Inteligjencës Financiare të Maqedonisë së Veriut, Arafat Muaremi, tha se bankat në atë kohë e informuan Agjencinë dhe Prokurorinë Speciale për tërheqjet, por se Agjencia nuk ishte në gjendje të vepronte më vete dhe të ngrinte në mënyrë parandaluese asetet e Gruevskit. Kjo punë i takonte Prokurorisë.

“Ne si agjenci nuk morëm asnjë urdhër për të siguruar informacione në lidhje me këto llogari, askush nuk na kërkoi gjatë procedurave gjyqësore të kontrollonim sa para ka tërhequr Gruevski”, tha ai.

Si rezultat, ndërsa Maqedonia e Veriut e di që Gruevski tërhoqi para nga llogaritë e tij bankare në vend, nuk ka të dhëna zyrtare se ku i transferoi ai ato para. (reporter.al)