Nijazi Kryeziu, ish drejtor i Urbanizmit jep mbrojtjen para Gjykatës

Kryesues i Asamblesë Komunale në Prizren, Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, këshilltar i ish kryeparlamentarit Kadri Veseli, janë detyrat të cilat Njazi Kryeziu i ka mbajtur në të kaluarën.

Ndaj Kryeziut, po rëndon akuza se ka lidhur kontratë pa tender në kohën sa punonte në Komunë.

I akuzuari Kryeziu, në seancën e sotme, gjatë mbrojtjes sqaroi se si Komuna e Prizrenit ishte dashur t’i trajtoj ndërtimet pa leje dhe ta implementoj  ligjin për legalizime. Që të implementohej ligji për legalizim, i akuzuari bëri të ditur se ishte dashur që të themelohej edhe TASK FORCA për sensibilizim dhe informim të qytetarëve për legalizim të objekteve.

Kurse për akuzën të cilën e ngarkon Prokuroria për shkak se në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontratë me një medium për transmetimin e reklamave që t’i nënshtrohen procesit të legalizimit, këtë mënyrë Kryeziu tha se e kishte hasur edhe më herët, thjeshtë kishte ndjekur praktikën të cilën e kishte gjetur aty.

“Unë e kam gjetur këtë praktikë, kjo ka ndodhë edhe më herët por edhe më pas zbatohet e njëjta mënyrë e pagesave lidhur me projektet e propozuara nga drejtorët e Drejtorive të  tjera, përgjegjësit në drejtorinë time kanë përgatitur shkresën me të cilën “TV Opinion” ka ofruar shërbimin në katër gjuhë”, tha Kryeziu.

Më tej, i akuzuari bëri të ditur se për kontratën e lidhur me “TV Opinion” dhe drejtorinë përkatëse, nuk i kishin dhënë vërejtje për ndonjë parregullsi dhe kontrata nuk ishte refuzuar nga zyrtarët kompetentë apo nga ndonjë nivel tjetër.

Prokurori Mehdi Sefa e pyeti të akuzuarin se a kishte dijeni që për çdo shërbim të ofruar e cila e tejkalon shumën 1000 euro duhet t’i nënshtrohet tenderimit përmes zyrës së prokurimit.

I akuzuari Kryeziu deklaroi se si drejtor i Urbanizmit ai ishte vetëm si porositës, nuk nënshkruan pagesë.

“Shuma prej 1200 euro është paguar në emër të spoteve të Televizionit “Opinion” edhe atë për dy muaj, në atë dokument nuk kam qenë nënshkrues vetëm unë, por kanë qenë edhe pesë zyrtarë të tjerë si nënshkrues, drejtori i urbanizmit nuk nënshkruan pagesën por vetëm porosit shërbimin”, u përgjigj Kryeziu.

Seanca e radhës ndaj Nijazi Kryezit, ku pritet të jepet fjala përfundimtare  u caktua që të mbahet me 23 gusht 2021.

Njazi Kryeziu po akuzohet për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, kur ishte drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish kryetarit Ramadan Muja.

Prokuroria e akuzon Kryeziun se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me TV Opinion për emitimin e spoteve reklamuese  për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate  cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 Janar deri më 31 Dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.

Në të kaluarën, ngjashëm me Kryeziun, në vitin 2019 ish Drejtori i Shërbimeve Publike në Prizren, Hasan Hasani, ishte dënuar me 3 mijë euro gjobë sepse kishte lidhur disa kontrata për video reklamuese me media duke mos hapur tender.

I njëjti kishte pranuar fajësinë para gjykatës.

Në marrëveshjen e arritur ndërmjet Hasan Hasanit dhe Prokurorisë së Prizrenit, ishte propozuar dënim me burgim prej 6 muajsh, por me mundësi që ky dënim t’i zëvendësohet me gjobë.

Linkun rreth akuzës dhe dënimit ndaj ish drejtorit Hasan Hasani mund ta lexoni këtu https://kallxo.com/lajm/ish-drejtori-i-prizrenit-denohet-per-lidhje-kontratash-pa-tender/