Foto ilustrim: Ministria e Mbrojtjes e Kosovës

Nihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione takon kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet, Tom Goffus, i është bashkuar Stefano Tomatit, komandant i Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Europian, në takime të veçanta me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit të lëshuar nga NATO më 17.09.2024, takimi u zhvillua në margjinat e takimeve me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, të organizuara nga përfaqësuesi special i BE-së, Mirosllav Lajçak.

Siç thuhet në njoftim, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione, Tom Goffus, ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe ka adresuar shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen e mundshme për trafikun rrugor të Urës së Ibrit në Mitrovicë.

“Goffus theksoi nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ai vuri në dukje se vendimet duhet të merren përmes dialogut, në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar dhe në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale apo e trupave të NATO-s. Ai shtoi se misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, është i detyruar nga mandati i tij i OKB-së për të adresuar çdo shqetësim të sigurisë dhe për të siguruar një mjedis të sigurt”- thuhet në komunikatën e NATO-s.

Në komunikatë theksohet se Goffus gjatë takimit ka përsëritur mbështjen e plotë të NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në Bruksel më 17.09.2024 janë zhvilluar takime mes emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, në njërën anë, dhe emisarit Lajçak dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq, në anën tjetër. Takim trepalësh nuk ka pasur.