Foto: REL/Bunwit Unseree

Nigeri, dyshime se ushtria ka detyruar mijëra gra e vajza të abortojnë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, u bëri thirrje autoriteteve nigeriane të hetojnë rreth akuzave se ushtria po detyron me mijëra gra e vajza të kryejnë aborte.

Të mërkurën agjencia ‘Reuters’ bëri të ditur se ushtria nigeriane ka drejtuar një program të fshehtë, sistematik e të paligjshëm aborti, në verilindje të vendit, të paktën që nga viti 2013.

Sipas dhjetëra dëshmive e dokumentave të shqyrtuar nga ‘Reuters’ programi parashikonte ndërprerjen e detyruar të të paktën 10,000 shtatzënive, mes grave e vajzave, shumë prej të cilave ishin rrëmbyer dhe përdhunuar nga militantët islamikë.

“Sekretari i Përgjithshëm i sheh me shqetësim akuzat për aborte sistematike dhe të detyruara, të kryera nga ushtria nigeriane kundër grave dhe vajzave ndërkohë të viktimizuara nga Boko Harami”, thuhej në një email të zëdhënësit të OKB-së, Stephane Dujarric, drejtuar agjencisë ‘Reuters’.

Ai bëri thirrje për një hetim të plotë e llogaridhënie mbi çështjen.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se administrata e Presidentit Biden ishte “thellësisht e shqetësuar” mbi këtë çështje.

“Ambasada jonë në Abuja po kërkon informacione të mëtejshme, mes tyre qeverisë së Nigerisë si dhe palëve të interesuara “, tha zëdhënësi. “Ne kemi inkurajuar qeverinë e Nigerisë që t’i marrë seriozisht akuzat dhe të kryejë një hetim të plotë e transparent”.

Shefi i mbrojtjes i Nigerisë tha të enjten se ushtria nuk ka në plan që t’i hetojë këto njoftime, pasi sipas tij, ato nuk janë të vërteta. Qeveria nigeriane nuk ka bërë publikisht asnjë koment mbi këtë çështje./VOA