Ngujohen në horizontin e 11-të të minierës së Trepçës rreth 40 punëtorë

Rreth 40 punëtorë – praktikantë janë mbyllur në minierën e Trepçës.

Aty ata kanë filluar një grevë që nga mëngjesi i sotëm.

KALLXO.com merr vesh se personat që kanë nisur grevën janë fëmijët e minatorëve, të cilët janë pranuar në konkursin e fundit si punëtorë në minierën e Trepçës.

Ata po kërkojnë që t’u bëhen kontrata e punës sa më shpejt, pasi që një vit janë duke kryer praktikë në minierën e Trepçës.

KALLXO.com ka kontaktuar me Gani Osmanin, kryetar i sindikatës së minatorëve të Trepçës, i cili tha se rreth 40 punëtorë- praktikantë, fëmijët e ish-minatorëve të mëhershëm, janë mbyllur në horizontin e njëmbëdhjetë të minierës.

“Sot, në ndërrimin e parë ata punëtorë, të cilëve u kanë vdekë baballarët, e që kanë pasë një marrëveshje si praktikantë, kanë shku në minierë në horizontin e njëmbëdhjetë janë ndalë dhe nuk kanë dalë. Kanë lypë prej menaxhmentit kontratën e punës… Ata janë pranuar në punë, të gjithë i kanë emrat. Diku afërsisht 40 veta. Sipas informatave që kam deri në orën tetë dhe sipas informatave ende vazhdojnë të jenë në minierë”, tha Osmani për KALLXO.com