Ngrohja në Gjakovë nuk do të fillojë nga 15 tetori

Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi sezoni i ngrohjes për Ngrohtoren në Gjakovë është i paraparë që të fillojë prej datës 15 tetor të vitit aktual deri me 15 prill të vitit pasues.

Mirëpo, sipas qytetares K.X. nga Gjakova vitin e kaluar kjo gjë nuk ndodhi pasi që ngrohja u ndërpre më datën 10 mars.

X.K. ka thënë se vitin e kaluar qytetarët janë lajmëruar vetëm dy ditë më herët për këtë ndërprerje.

“Vitin e kaluar ngrohja është ndërprerë një muaj më herët. Vetëm dy ditë më përpara na kanë lajmëruar. Më 10 mars e kanë ndërprerë, e për me rregull kontrata është 15 tetor-15 prill”- ka shpjeguar ajo për KALLXO.com duke thënë se brengë për të mbetet dilema se a do të përsëritet e njëjta gjë edhe këtë vit.

“Këtë vit unë si përdoruese private ende nuk e di se a ke me qenë e sigurt sezona 15 tetor -15 prill, ne po duam ta dimë saktësisht se kur dhe çfarë ndodh. Le të thonë ‘tre muajt më të ashpër të dimrit kanë me qenë’ të paktën e dimë se si të përgatitemi, por ende nuk e dimë saktë çfarë dimri do të na presë”- është shprehur ajo.

Lidhur me këtë KALLXO.com ka kontaktuar drejtoreshën e ngrohtores në Gjakovë, Albana Dulatahu- Skivjani e cila ka pohuar se kjo gjë ka ndodhur vitin e kaluar.

Ajo ka thënë se arsyeja për këtë ka qenë për shkak se ka përfunduar sasia e biomasës.

“Vitin e kaluar është ndërprerë (ngrohja) më 10 mars sepse atëherë ka përfunduar sasia e biomasës. Për shkak se viti i kaluar ka qenë viti i parë që jemi funksionuar me impiant të ri, me impiantin që ka investuar Bashkimi Evropian edhe me mjetet që i kemi pasur në dispozicion ne  e kemi hapur tenderin dhe ajo sasi e biomasës në momentin që ka përfunduar  ne jemi detyruar me e ndalë operimin”- ka shpjeguar ajo për KALLXO.com, duke thënë se Ngrohtorja në Gjakovë është e përcaktuar që zakonisht ta fillojë ngrohjen më 15 tetor deri më 15 prill por që këtë vit është shtyrë procesi.

“Sipas ligjit, (ngrohja) është përcaktuar të fillojë më 15 tetor deri më 15 prill zakonisht, të dy ngrohtoret edhe Termokos-i edhe Ngrohtorja e Gjakovës. Mirëpo, këtë vit për shkak se nuk kemi pasur mjete të mjaftueshme me hap tender me u furnizu me biomasë na u ka shty pak procesi”- është përgjigjur ajo duke thënë se tani janë në përfundim të procedurave.

“Tash jemi në fund, në përfundim të procedurave se Ministria e Ekonomisë diku nga fundi i gushtit- fillimi i shtatorit na ka dhënë një konfirmim për 300 mijë euro shtesë subvencion dhe me atë konfirmim e kemi pritur për t’i fillu procedurat”.

Kështu, Dulatahu- Skivjani ka konfirmuar për KALLXO.com se ngrohja këtë vit nuk ka mundësi që të fillojë më 15 tetor dhe që ende nuk ka një datë të saktë se kur do të fillojë.

“Jemi duke pritur që të finalizohet çështja e kontratës për furnizim me lëndë djegëse e tek pastaj kur e nënshkruajmë kontratën e dimë planin fiks. Planifikojmë diku mes datës 10 dhe 15 nëntor mirëpo nuk e di saktë akoma”- është përgjigjur ajo duke shtuar se nëse Ngrohtorja në Gjakovë furnizohet më herët atëherë edhe ngrohja mund të fillojë më herët.

Drejtoresha po ashtu ka folur edhe në lidhje me tarifat, duke treguar se ato janë të ndryshme për kategoritë e caktuara, mirëpo ajo ka thënë se ende nuk është caktuar një shumë për këto tarifa.

“Dallojnë bizneset prej amvisërisë në të gjitha aspektet tjera, domethënë bizneset e kanë tarifën pak më të shtrenjtë, edhe pse për sivjet ende jemi në proces të shqyrtimit tarifor, domethënë nuk ka vendim ende. E kemi dërguar kërkesën, kemi marrë disa opinione prej zyrës së rregullatorit për disa rregullime…”-ka shpjeguar ajo për KALLXO.com.

Sipas Dulatahu- Skivjanit, këtë vit çmimi i biomasës është rritur dyfish në krahasim me vitin e kaluar.

“Vitin e kaluar një mesatare rreth 100-112 euro jemi furnizuar, sivjet ka shkuar në 200”.

Ngrohtorja në tenderin e hapur ka parashikuar ndarjen e 750,000.00 eurove për furnizim me gdhenda druri (bio masë) ku përfshihen prodhime druri, produkte tape dhe xunkthi në sasi prej 4,500.00 ton.

Te kriteret e dhënies në dosjen e tenderit për kontratën publike kornizë – furnizim bëhet e ditur se “Në përputhje me nenin 13 te Ligjin për rimëkëmbje, Ligji nr. 07/L-016, i jepet preferencë Operatori Ekonomik vendor që oferton me shërbime dhe produkte vendore vetëm në rast se çmimi nuk është më i lartë se 15%”.

Tutje, në këtë dosje bëhet e ditur se kjo kontratë publike kornizë ka kohëzgjatje prej 12 muajsh dhe është efektive prej datës në të cilën ajo hyn në fuqi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të marrë më shumë informata se a ka marrë Zyra e Rregullatorit të Energjisë ndonjë vendim se si do të jetë mënyra e faturimit për amvisëritë, bizneset dhe institucionet që do të ngrohen nga ngrohtorja e Gjakovës dhe se kur pritet që ZRRE të dalë me një vendim për mënyrat e faturimit dhe shumat e parapara.

Në një përgjigjje me shkrim për KALLXO.com, ZRRE është përgjigjur duke thënë se ende janë në proces të shqyrtimit dhe vlerësimit

“Aktualisht, Zyra e Rregullatorit për Energji është në proces të shqyrtimit dhe vlerësimit të Aplikimit për të Hyrat e lejuara Maksimale dhe tarifa për Ngrohtoren e Qytetit të Gjakovës. Sapo te përfundoj vlerësimi i eksperteve, ZRRE-ja do ta publikoj raportin ne ueb faqen elektronike te ZRRE-së për konsultime me te gjitha palët e interesuara”- thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për KALLXO.com.

Për herë të parë Ngrohtorja në Gjakovë ka filluar të funksionojë në vitin 1981. Ndërkaq, në vitin 2019 ka filluar ndërtimi i objektit të ri ku aktualisht ndodhet ngrohtorja në Gjakovë kurse në vitin 2021 lënda djegëse për ngrohje ka kaluar prej mazutit në biomasë ku Ngrohtorja e Gjakovës u bë ngrohtorja e parë me biomasë në Kosovë.

“Vitin e kaluar kemi operuar së pari, ai ka qenë investim i Bashkimit Evropian komplet 15 milionë euro, ndërsa tash jemi duke e rehabilituar rrjetin ekzistues e ky investim është 5 milionë e 800 mijë euro prej të cilave 5.3 milionë janë të qeverisë zvicerane edhe 500 mijë euro janë investim prej komunës së Gjakovës”- ka shpjeguar drejtoresha Albana Dulatahu- Skivjani.

Ndërkaq, të mërkurën e 12 tetorit, ndërmarrje publike që furnizon me ngrohje rreth 16 mijë konsumatorë në Prishtinë e njohur ndryshe si “Termokos” ka filluar ngrohjen

Kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Fisnik Osmani kishte thënë në “Kallxo Përnime” se Termokosi është i gatshëm të fillojë me ngrohje edhe para datës 15 tetor.

“…Mund të konkludojmë që ne jemi gati që të fillojmë sezonën e ngrohjes me datën 15 tetor. Nëse paraqitet nevoja, jemi duke i përcjellë temperaturat e jashtme në qytet, nëse paraqitet nevoja, në konsultim me Komunën, ne jemi të gatshëm që t’ia nisim edhe më herët furnizimin me energji termike” – kishte thënë Osmani.