Ngrohja globale: Limiti i temperaturës globale prej 1,5 gradë Celsius mund të tejkalohet për herë të parë

Bota jonë e mbinxehjes ka të ngjarë ta tejkalojë limitin kyç të temperaturës për herë të parë gjatë viteve të ardhshme, parashikojnë shkencëtarët.

Studiuesit thonë se tani ka një shans prej 66% që ta tejkalojmë pragun e ngrohjes globale prej 1,5 gradësh nga tani deri në vitin 2027, bazuar në raportin i njohur si Përditësimi Vjetor Global deri në Dekadën e Klimës.

Shanset po rriten për shkak të emetimeve nga aktivitetet njerëzore dhe një ndryshimi në modelet e motit që pritet këtë verë.

Nëse bota e kalon këtë limit, shkencëtarët theksojnë se ky tejkalim, megjithëse shqetësues, ka të ngjarë të jetë i përkohshëm.

Arritja e pragut do të thotë se bota është për 1.5C më e ngrohtë se sa ishte gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të përpara se emetimet e karburanteve fosile nga industrializimi të fillonin me të vërtetë të rriteshin.

Dhe tejkalimi i limtit qoftë edhe për vetëm një vit është një shenjë shqetësuese se ngrohja po përshpejtohet dhe nuk po ngadalësohet.

Shifra 1.5 C është bërë një simbol i negociatave globale për ndryshimet klimatike. Shtetet kanë rënë dakord t’i “ndjekin përpjekjet” për ta limituar rritjen e temperaturës globale në 1.5C sipas Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015.

Tejkaalimi mbi 1.5C çdo vit për një ose dy dekada do të dëshmonte ndikime shumë më të mëdha të ngrohjes, të tilla si valë të nxehta më të gjata, stuhi më intensive dhe zjarre.

Mirëpo kalimi i nivelit në një nga vitet e ardhshme nuk do të thotë se limiti i Parisit ishte thyer. Shkencëtarët thonë se ka ende kohë për ta limituar ngrohjen globale duke i ulur ndjeshëm emetimet.

Që nga viti 2020, Organizata Botërore Meteorologjike ka dhënë një vlerësim të mundësive që bota të tejkalojë pragun e 1.5C në çdo vit.

Në atë kohë ata parashikuan se kishte më pak se 20% mundësi për të tejkaluar 1.5C në pesë vitet e ardhshme.

Deri vitin e kaluar kjo ishte rritur në 50%, dhe tani është rritur në 66%, që shkencëtarët thonë se do të thotë se ka “më shumë gjasa sesa që nuk ka”.

Çfarë do të thotë të tejkaolhet mbi 1.5C?

Kjo shifër nuk është një masë e drejtpërdrejtë e temperaturës së botës, por një tregues se sa ose sa pak është ngrohur ose ftohur Toka në krahasim me mesataren afatgjatë globale.

Shkencëtarët i përdorin të dhënat mesatare të temperaturës nga periudha midis viteve 1850-1900 si një masë se sa e nxehtë ishte bota përpara varësisë dhe mbështetjes sonë moderne në qymyrin, naftën dhe gazin.

Për dekada është besuar se nëse bota ngrohej me rreth 2 gradë Celsius, ky do të ishte pragu i ndikimeve të rrezikshme – por në vitin 2018 shkenctarët e rishikuan ndjeshëm këtë vlerësim, duke treguar se tejkalimi i 1.5 gradë Celsius do të ishte katastrofik për botën.

Gjatë dekadave të fundit, bota jonë e mbinxehjes e ka shtyrë merkurin në mënyrë që në vitin 2016, temperaturat më të ngrohta të regjistruara, globale ishin 1.28 C mbi shifrën e epokës para-industriale.

Tani studiuesit thonë se kjo shifër do të tejkalohet – ata janë 98% të sigurt se niveli i lartë do të tejkalohet përpara vitit 2027.

Dhe në vitet midis kohës aktuale dhe kohës së atëhershme ata besojnë se ka një shans shumë të fortë që kufiri 1.5C të tejkalohet për herë të parë.

Studiuesit theksojnë se temperaturat do të duhet të qëndrojnë në ose mbi 1.5C për 20 vjet që të mund të thuhet se pragu i Marrëveshjes së Parisit është kaluar.

Cilat janë ndikimet e mundshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë?

Arktiku do të përjetojë ngrohje në një nivel më të madh se shumë rajone, me anomali të temperaturës që pritet të jetë tri herë më e madhe se shifra globale gjatë pesë dimrave të ardhshëm të hemisferës veriore.

Evropa veriore, përfshirë Britaninë e Madhe, ka të ngjarë të përjetojë reshje të shtuara për periudhën maj-shtator gjatë pesë viteve të ardhshme, thotë raporti i lartcekur./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala