Ilustrim

Ngritje e lehtë e çmimeve të konsumit në muajin tetor të sivjetmë

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.2 për qind më i lartë në muajin tetor se një muaj më parë po me përqindje të njëjtë pati inflacion çmimesh në raport me muajin tetor të 2019-ës..

Qumështi, djathi dhe vezët ndikuan më shumë në shtrenjtimin e çmimeve

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.2% në muajin tetor 2020, krahasuar me muajin shtator 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (3.2%); vajra dhe yndyrëra (3.2%); perime (7.6%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj., (2.5%); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK.”, thuhet në komunikatë

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra -0.3 për qind; pemë -7.5 për qind; përdorim i pajisjeve për transportin personal -0.5 për qind –(rënie e lehtë e çmimeve të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.2 për qind) në IHÇK.

Norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin tetor 2020, me muajin tetor 2019 ishte -0.2 për qind.

Rënie të indeksit të çmimeve pati pemë, qelqurina dhe mjete të kuzhinës

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.2%) në muajin tetor 2020, krahasuar me muajin tetor 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-3.6%); qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (-4.3%); blerja e automjeteve (-1.8%); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-15.0%) – (rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.4 për qind) në IHÇK.”, bën të ditur komunikata.

Ndërsa, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 2.3 për qind; mish 1.3 për qind; qumësht, djathë dhe vezë 2.2 për qind; vajra dhe yndyrëra 3.4 për qind; perime 6.7 për qind; sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 3.0 për qind; ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet 2.0 për qind; duhan 2.0 për qind; produktet mjekësore, aparaturë dhe pajisje 4.3 për qind; shërbime ambulatore 5.5 për qind; shërbime hoteliere 1.8 për qind; sigurime 19.7 për qind – (ngritje e çmimeve të sigurimeve të automjeteve në vitin e kaluar), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.2 për qind në IHÇK.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e indeksit “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin tetor 2020.