Ngritët aktakuzë për J.G., i dyshuar se vrau vëllain pas fjalosjes për bagëti

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit J.G., nën dyshimin se ka vrarë vëllain e tij, H.G, pas një mosmarrëveshjeje që kishin për bagëtinë.

Sipas aktakuzës, më 12 qershor 2021, në fshatin Sopniq të Komunës së Rahovecit, i pandehuri me dashje e ka qëlluar dy herë me armë zjarri vëllain e tij duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

E gjithë kjo ka ndodhur pasi dy vëllezërit kanë pasur një mosmarrëveshje rreth disa bagëtive.

Viktima kishte shkuar me dy djemtë e tij në shtëpinë e pandehurit ku edhe ishin fjalosur.

I pandehuri po akuzohet se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri J.G., të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.