
Flamuri i ISIS-it - Foto: REL/AFP
Ngritet aktakuzë ndaj një personi që dyshohet se i është bashkuar ISIS-it
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj një personi, për të cilin ka dyshim të bazuar se i është bashkuar ISIS-it.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i akuzuari dyshohet se me dashje, me paramendim dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur, ka lëshuar territorin e Kosovës dhe ka udhëtuar për në Stamboll dhe përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri.
“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri H.S., me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ka udhëtuar për në Stamboll – Turqi dhe përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet Organizatës terroriste ISIS” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, i njëjti si qëllim ka pasur t’i bashkohet Organizatës Terroriste “ISIS”, ku ka kryer funksionin si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ISIS-it.
Prokuroria pretendon se i njëjti për këto shërbime është financuar nga ISIS-i me nga 100 dollarë në muaj, e me këto veprime ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.