FOTO: KALLXO - Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Ngritët aktakuzë ndaj Lavdim Krasniqit, Marigona Berishës e dy personave të tjerë

Prokuroria Prishtinës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Lavdim Krasniqit ish drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, një personit tjetër me inicialet A.K ish shoferit, Marigona Berishës ish zyrtares së lartë të KPK-së si dhe ndaj një personi tjetër me inicialet F.D.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Lavdim Krasniqi dhe shoferi A.K., nga janari i vitit 2018 e në vazhdimësi, në bashkëkryerje, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjerët nga personi me inicialet B.M., me qëllim të ushtrimit të ndikimit të tyre në vendimmarrje për uljen dhe shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për të njëjtin.

Me këto veprime sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Po ashtu, të pandehurit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A.M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, të pandehurit me inicialet A.K., dhe Marigona Berisha, kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ndërsa, e pandehura Marigona Berisha sipas prokurorisë ka pranuar nga i dëmtuari B.M., një veturë në vlerë prej 25 mijë eurove, andaj me këtë ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Të pandehurit Lavdim Krasniqi dhe F.D., kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cila iu vihen në barrë, të njëjtëve t’u shqiptohet dënimi plotësues – Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, konform nenit 59 lidhur me nenin 62 të KPRK-së dhe të bëhet konfiskimi i veturës si provë në këtë çështje penale.

Apeli e lë në burg drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi