Ngritet aktakuzë ndaj katër të dyshuarve për vrasjen e të riut në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen që ka ndodhur në shkurt të këtij viti në një piceri në Mitrovicë.

Prokuroria thekson se aktakuza është ngritur ndaj L.S., B. H., V.I., dhe V.S., për veprat penale, vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë, mbajtje në pronësi të armëve pa leje si dhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Më 12 shkurt të këtij viti sipas prokurorisë rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, i pandehuri L.S., me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K.

Deri te vrasja erdhi pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e picerisë në Mitrovicë A.B., ku më pas nisi konflikti mes pjesëmarrësve të dy grupeve, me ç`rast i pandehuri L.S., kishte nxjerrë pistoletën dhe kishte shtënë në viktimën M.K., i cili më pas kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Përveç vrasjes së të riut, një predhë i shkaktoi lëndime të rënda trupore edhe një personi tjetër me inicialet B.H i cili është i akuzuar tashmë nga Prokuroria në Mitrovicë.

Sipas prokurorisë, L.S., akuzohet për vrasje të rëndë si dhe për mbajtje në pronësi të armës pa leje.

I pandehuri B.H në të njëjtën natë kishte shtënë në drejtim të personit F.S., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore si dhe kishte rrezikuar jetën e personave të tjerë të cilët gjendeshin në ato momente në piceri.

I pandehuri V.I., sipas prokurorisë, ka përdorur armën për të kërcënuar personat që kanë qenë në vend ngjarje dhe me këtë rast i njëjti ka vepruar në kundërshtim me ligjin për posedim të armës pa leje si dhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

I pandehuri tjetër V.S., në të njëjtën natë e cila përfundoi me një të vrarë, ka kryer veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe mbajtje në pronësi të armës pa leje. Sipas aktakuzës së prokurorisë V.S., kishte kërcënuar punëtorët e picerisë me armën të cilën posedonte.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me ngjarjen në shkurt të këtij viti.

E gjithë ngjarja dyshohet se kishte nisur pas një kacafytje mes disa personave ku më pas, një u vra e dy të tjerë mbetën të lënduar po atë natë pas përdorimit të armëve të zjarrit.

Vrasja e plagosjet në Mitrovicë, dyshohet se ndodhen pas një kacafytje