Ngritet aktakuzë ndaj ish-policit serb për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë kundër N.A. për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Prokuroria njofton se i pandehuri N.A. gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave dhe pasurisë.

Sipas njoftimit,  me datë 21.05.1999, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, i pandehuri N.A. në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, me ç ‘rast në mënyrë çnjerëzore  i kanë torturuar të dëmtuarit  J.Sh. dhe S.Sh.  duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar vuajtje të mëdha dhe dëmtime të rënda trupore, nga pasojat e të cilëve ata vuajnë edhe sot.

Sipas Prokurorisë ,të njëjtën ditë, i pandehuri N.A. në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte gjetur dhe marrë nga të dëmtuarit shumën e madhe të parave, disa vetura dhe gjësende të tjera me vlerë.